Partitë politike shqiptare thonë se takimi në Prishtinë me presidentin e Kosovës, të enjten, ishte në funks të përpjekjeve për të harmonizuar qëndrimet e faktorit politik shqiptar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ata thonë se njëkohësisht takimi u zhvillua me qëllim të zhbllokimit të procesit të integrimit të vendit drejt strukturave euroatlantike, pasi votat e deputetëve shqiptarë janë vendimtare për krijimin e qeverisë së re.

Pas kryeministrit shqiptar Edi Rama, liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Billall Kasamin i Lëvizjes BESA dhe Ziadin Selën e Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, kanë takuar në Prishtinë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenca e Kosovës tha, në një njoftim të saj, se

“është diskutuar nevoja për një koordinim të mirëfilltë të faktorit politik shqiptar që ka për qëllim respektimin e vullnetit të lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të Maqedonisë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar”.

Lëvizja BESA tha se takimi në Prishtinë ishte në vazhdën e takimeve konsultative që subjektet politike shqiptare të bashkohen rreth një kauze të përbashkët shqiptare në Maqedoni.

Përderisa Artan Grubi, zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim thotë se takimi i Tiranës dhe Prishtinës ka kontribuar shumë në drejtim të harmonizimit të pikave që do të inkorporohen në platformën e përbashkët, që siç thekson, pritet të ratifikohet nga ana e të gjitha partive parlamentare brenda pak ditësh, pa dhënë detaje.

Partitë politike zyrtarisht thonë se nuk janë duke zhvilluar negociata për koalicionin rreth formimit të qeverisë së re të Maqedonisë, ndërkohë që të hënën më nëntë janar është afati fundit në bazë të Kushtetutës kur presidenti i Maqedonisë detyrohet që partisë e cila ka siguruar më shumë vota, t’i jap mandarin të sigurojë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë së re të vendit./ tvklan.al

Burimi: REL