Banka Botërore vlerëson se Shqipëria ka arritur të përmbushë pjesën më të mirë të angazhimeve në fushën ekonomike, detyrime që lindin  si vend kandidat në Bashkimin Europian, dhe se në vitin 2018-të, vendi ynë bashkë me Maqedoninë presin të hapin negociatat. Në një raport për ecurinë që kanë patur deri tani vendet e Ballkanit Perëndimor, banka thotë se nëse bëhen përparime për integrimin në BE, do të korrigjojë pozitivisht edhe parashikimet për rritjen ekonomike. Më të mirë situatën Banka Botërore e sheh për Malin e zi, i cili ka hapur dhe diskutuar 28 nga 33 kapituj, ndërsa Serbia 10.

Për Shqipërinë, nënvizohet se pjesa më e madhe e rekomandimeve janë arritur, siç është konsolidimi fiskal, ulja e borxhit, përmirësimi i mbledhjes së taksave, reforma në taksën e pronës për t’u mbledhur në bazë të vlerës dhe ulja e kredive me probleme. Mbeten ende për t’u adresuar çështja e pronave dhe zbatimi i strategjisë për efikasitetin e energjisë.

Por nga krahu tjetër, Banka Botërore parashikon se investimet e huaja për vitin e ardhshëm do të bien, duke qenë se përfundojnë edhe vepra të mëdha, si TAP dhe Devolli. Për këtë vit investimet e huaja vlerëohen të ulen me 0.1 pikë përqindje në raport me prodhimin kombëtar, ndërsa për vitin e ardhshëm nuk ka asnjë projekt të ri. Rritja ekonomike është mbështetur fort nga Tap dhe Devolli, dhe përfundimi i tyre rrezikon që të ulë të ardhurat në buxhet dhe të japë efekte në tregun e brendshëm.

Tv Klan