asylum

Për të ndalur fluksin e azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, zyrtarët gjermanë nuk përjashtojnë mundësinë e rivendosjes së regjimit të vizave. Rrjeti televiziv britanik BBC bën të ditur se politika gjermane është përfshirë nga debate të shumta për mënyrën se si duhet përballuar dhe frenuar fluksi i azilkërkuesve. BBC citon një zëdhënës të Agjencisë gjermane për Migracionin dhe Refugjatët, të ketë thënë se rivendosja e regjimit të vizave do t’a frenonte fluksin nga vendet e Ballkanit. Megjithatë, alternativa që po qarkullon më shumë mes klasës politike në Gjermani është shpallja si vende të sigurta për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Ky klasifikim ua bën më të lehtë autoriteteve gjermane të kthejnë mbrapa azilkërkuesit nga këto vende, pasi ata do t’a kenë më të vështirë të vërtetojnë se janë viktima të persekutimit politik, fetar apo etnik në vendet e tyre të origjinës. Ky hap u ndërmor në dhjetor të vitit të kaluar për Bosnia-Herzegovinën, Maqedoninë e Serbinë. Sipas Agjencisë gjermane për Migracionin dhe Refugjatët, numri i azilkërkuesve nga këto vende, aktualisht ka një rritje me 12%. Ndërsa nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, që ende nuk janë përfshirë në këtë listë, azilkërkuesit kanë pësuar një rritje me 500%.

Tejmbushja e kampeve të pritjes së azilantëve është bërë shkak edhe për shumë incidente të dhunshme mes tyre në disa qytete gjermane. Autoritetet gjermane presin që këtë vit të kenë 450 mijë kërkesa për azil. Vetëm në gjysmën e parë të vitit ka pasur 180 mijë të tilla, dyfishi i të njejtës periudhë të një vitit më parë. Kosova dhe Shqipëria renditen në vendin e dytë dhe të tretë për këtë periudhë pas Sirisë, respektivisht me 31 400 dhe 22 209 kërkesa.

Tv Klan