Bashkimi Demokratik për Integrim vendosi t’i japë firmat social-demokratëve të Zoran Zaevit, për të nisur negociatat për krijimin e qeverisë së re, siç e kërkon kushtetuta e vendit.

Pas një mbledhjeje të gjatë të kryesisë, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani nënvizoi se ekziston edhe mundësia për të qëndruar në opozitë pasi qëllimi i vetëm mbetet realizimi i programit dhe jo pjesëmarrja me çdo kusht në qeveri.

“Vetëm marrëveshje për të marrë mandatin e pastaj fillojnë bisedimet që mund të përfundojnë ose jo me marrëveshje për bashkëqeverisje,” tha Osmani.

Në mbyllje të mbledhjes, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se u morën disa vendime, pa dashur të komentojë më tepër rreth të ardhmes.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE mblodhi gjithashtu kryesinë e partisë, duke akuzuar Tiranën zyrtare për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.

Sipas partisë së Nikolla Gruevskit, realizimi i platformës nga Tirana dhe tentimet për të zyrtarizuar gjuhën shqipe, paraqesin ridefinim të Maqedonisë dhe është në kundërshtim me karakterin multietnik të shtetit./Tv Klan