BE së bashku me SHBA-të kanë kërkuar miratimin e shpejtë të shtatë ligjeve dhe të parin, ligjin e vlerësimit (vetting), në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i paketës së Reformës në Drejtësi.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat gjatë orëve të mbrëmjes, thuhet se kjo gjë i është bërë e ditur të gjithë udhëheqësve politikë dhe Kryetari i Kuvendit Meta ka konfirmuar se si Kryetar i Kuvendit është i gatshëm të thërrasë mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit me të hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese (më 11 Gusht), meqenëse krerët e grupeve parlamentare kanë rënë dakort për këtë.

Miratimi i shpejtë i ligjeve zbatuese është parakusht për nisjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe i një rëndësie themelore për rrugën evropiane të Shqipërisë, theksohet në deklaratë.

Drafti u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi gjysmën e dytë të muajit qershor./tvklan.al