meszerics

Bashkimi Europian është i ndarë për krizën në Maqedoni. Një pjesë e grupimeve të Parlamentit Europian nuk e shohin largimin e Nikolla Gruevskit si zgjidhje për krizën.

Eurodeputeti hungarez, Tamas Meszerics, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian thotë se Shkupit i është lënë kohë për të zbardhur ngjarjet në Kumanovë.

Tamas Meszerics – Eurodeputet: “Teknikisht, as ne nuk kërkuam dorëheqjen e zotit Gruevski. Grupimet politike në Parlamentin Europian janë të ndara përsa i përket hapit të rradhës që duhet të hidhet për Maqedoninë. Por sigurisht që i takon qeverisë së Maqedonisë që të vendosë”.

Sipas Eurodeputetit hungarez, zgjidhja e krizës politike në Maqedoni varet nga transparenca mbi ngjarjet në Kumanovë dhe përgjegjësia e partive për të arritur një marrëveshje.

Tamas Meszerics – Eurodeputet: “Tragjedia në Kumanovë duhet të hetohet shpejt, në mënyrë tërësore dhe transparente dhe përgjegjësit duhet të çohen para drejtësisë. Gjithashtu kriza politike, që zgjat tashmë prej gjysmë viti, duhet të zgjidhet përmes një transparence të plotë. Nëse qeveria e Gruevskit nuk është në gjendje që të kryejë një hetim transparent, atëherë ai duhet të heqë dorë dhe t’i lerë vendin dikujt tjetër që mund t’a bëjë këtë”.

Meszerics thotë se është përgjegjësi e qeverisë për të respektuar të drejtat e palëve të tjera dhe nuk përjashton mundësinë që marrëveshja e Ohrit të mos jetë respektuar.

Tv Klan