Me anë të një deklarate për mediat, zyra e Bashkimit Europian në Tiranë ka zbuluar detaje nga takimet e mbajtura sot nga dy negociatorët Knut Fleckenstein dhe David McAllister.

Eurodeputetët paraqitën disa propozime që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masat teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat e ndërtimit të besimit politik.

Shumica, thuhet në njoftim, ra dakord mbi pikat e parashikuara për sa kohë që vettingu do të votohej në parlament. Partia Demokratike mbajti qëndrimin e saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe për miratimin e një sistemi votimi elektronik për hir të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Negociatorët propozuan gjithashtu ide mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshimet e mundshme para-zgjedhore në qeveri, propozime të cilat mazhoranca mësohet se ra dakord, sa kohë që Vettingu do të votohej në parlament. Por PD

 

iu përmbajt kërkesës për qeveri teknike dhe votimit elektronik.

Deklarata e plotë:

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian David McAllister (EPP) dhe Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë Knut Fleckenstein u takuan me shumicën dhe opozitën shqiptare dhe patën një diskutim të mirë.

Të dy deputetët paraqitën propozime që përfshinte pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masat teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat e ndërtimit të besimit politik.

Ata propozuan gjithashtu ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë për të ndërtuar besim afatgjatë te sistemi. Nga ana e maxhorancës pati dakordësi mbi pikat e propozuara me kusht që vettingu të votohet në parlament.

Partia Demokratike iu përmbajt pozicionit të saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe miratimin e një sistemi elektronik votimi për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme./tvklan.al