anije-grqi

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian miratuan në Luksemburg një paketë masash, për t’i bërë ballë krizës së emigrantëve në Detin Mesdhe. Shefja e Politikës së Jashtme të BE – së, Federika Mogerini e cilësoi paketën me 10 pika “një reagim të fortë përballë tragjedive”.

Një prej këtyre masave parashikon rritje të burimeve financiare për Frontex, që drejton operacionin e shpëtimit të BE – së në Mesdhe, i njohur si “Triton” si dhe zgjerimin e zonës operacionale të tij.

Pamje tregojnë përmbysjen e një barke me 200 emigrantë të nisur nga Libia, pasi u përplas me shkëmbinj përballë ishullit të Rodosit, në Greqi.

Sipas një bilanci të përditësuar të policisë portuale, një burrë, një grua dhe një fëmijë 6 – vjeçar kanë humbur jetën dhe trupat e tyre tashmë janë nxjerrë nga uji. Të paktën 93 persona u shpëtuan, 30 prej të cilëve u dërguan menjëherë në spital.

Organizata Botërore për Emigrantët (IOM) konfirmon se ndërkohë janë lëshuar sinjale nga tre barka të nisura nga Libia, secila prej tyre, me mbi 100 emigrantë në bord.

Të dielën, një tragjedi e rëndë ndodhi në kanalin e Sicilisë, 70 milje larg brigjeve të Libisë, pas mbytjes së një peshkarexhe me 950 emigrantë në bord. Vetëm 28 persona mundën të shpëtojnë, ndërkohë janë gjetur trupat e pajetë të 24 emigrantëve.

Duke iu referuar shifrave të UNHCR – së, të paktën 1600 emigrantë kanë humbur jetën në detë gjatë këtij viti.

Tv Klan