Me një pamje prej të dorëzuari, Kryeministri David Cameron lajmëroi dorëheqjen, pas rezultateve zhgënjyese të referendumit, që e nxjerrin Britaninë jashtë Bashkimit Europian. Ai deklaroi se pranon verdiktin e popullit dhe atë që demokracia imponon përmes votës së qytetarëve.

“Populli britanik votoi për daljen nga Bashkimi Europian dhe vendimi i tij duhet respektuar. Në këtë pikë vendit i nevoijitet një drejtim i ri. Nuk do të ishte e drejtë që unë të isha sërish kapiteni i anijes, ndërkohë që Britania e Madhe del nga BE”,

tha Cameron.

Gjithsesi, ai do të qëndrojë në detyrë edhe për tre muajt e ardhshëm, në interes të stabilitetit të vendit.

Nga ana tjetër, feston euroskeptiku Nigel Farage. Ai e cilësoi votën për Brexit si “Ditën e Pavarësisë” për Britaninë e Madhe.

51.9 % e britanikëve votuan pro daljes nga Bashkimi Europian në referendumin e së enjtes, ndërsa 48.1 % u shprehën pro qëndrimit. 

Ashtu si vota e përgjithshme, edhe ajo e shteteve kryesore të Mbretërisë së Bashkuar ishte ndarë më dysh. Anglia dhe Uellsi votuan pro daljes, ndërsa Skocia dhe Irlanda e Veriut u shprehën kundër largimit nga Bashkimi Europian.

grafikuNë ndryshim nga Anglia, kryeqendra e Mbretërisë së Bashkuar, Londra, votoi pro qëndrimit në Union.

Vota për daljen e Britanisë nga BE ngjalli panik dhe u reflektua menjëherë në tregjet botërore. Bursat, veçanërisht ato aziatike, vajtën në kolaps.

Stërlina pësoi rënie historike, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 1985 në krahasim me dollarin amerikan.

Frika është padyshim tek ekonomia. Por Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, bëri thirrje për qetësi dhe deklaroi se Banka e Anglisë është e përgatitur për të ndërhyrë.

“Thesari dhe Banka e Anglisë nuk do të hezitojnë në marrjen e masave të duhura për rregullimin e tregjeve dhe çuarjen përpara të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar. Si mbështetje për mirëfunksionimin e tregjeve, Banka e Anglisë do të lëvrojë 250 miliardë Stërlina”,

tha Carney.

43 vjet pas anëtarësimit në vitin 1973, Britania e Madhe është vendi i parë që del nga Bashkimi Europian, që prej themelimit të bllokut, në vitin 1957.

Sipas shifrave zyrtare, pjesëmarrja në referendum ishte 72.2%. Në total votuan më shumë se 33.5 milionë britanikë.

Tv Klan