Zhvillimet e javëve të fundit në Ballkan e kanë rikthyer vëmendjen e mediave sërish tek fëmija problematik i Europës. “Der Standard” në Vjenë analizon të shtunën (18.02) politikën e BE-së ndaj Ballkanit.

 Në Ballkan janë trazuar ujërat. Vendet e rajonit apelojnë tek partnerët për më shumë vëmendje. Kështu mund të kuptohet edhe letra e fundit e përbashkët e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli me homologun kroat, Damir Krsticevic drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg para Konferencës së Sigurisë në Mynih. Të dy ministrat shprehin shqetësimin për sigurinë në Ballkan dhe theksojnë se Serbia po kërcënon sigurinë në Kosovë. Ministrat „theksojnë shqetësimet për incidentet e fundit, të cilat mund të influencojnë sigurinë e Kosovës, por edhe sigurinë në një kontekst më të gjerë”, citon agjenica e lajmeve, AFP letrën e ministrave të Mbrojtjes.

Ndërkohë  gazeta “Der Standard’ nga Vjena analizon të shtunën (18.02) qëndrimet e Serbisë ndaj BE-së, por edhe kursin e BE-së në Ballkan. BE mbështet kryeministrin Vuçiç, shkruan gazeta, duke bërë llogarinë se sa kohë „ai tregohet kooperativ në çështjen e Kosovës, ndjek kursin e kursimit të Bankës Botërore dhe mban Rusinë e refugjatët larg nga Europa, mund të durohen ekzagjerimet e brendshme politike në vend. Mjafton të ruhet paqja.” Por “Der Standard” e kritikon këtë qëndrim të BE-së si dritëshkurtër. “Zhvillimet e brendshme po e largojnë Serbinë gjithnjë e më shumë nga BE. Modeli i ngjason Putinit ose Orbanit. Kjo nuk vlen vetëm për Serbinë. Po qe se BE i mban sytë mbyllur para Ballkanit, atëherë në rajon nuk ka për të vazhduar shumë gjatë gjendja e paqes.”/DW