Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli në intervistë me DW flet për programin dhe synimet e partisë së tij, futjen në koalicion me LDK, demarkacionin, dialogun, fenë dhe koalicionet paszgjedhore.

Deutsche Welle: Zoti Pacolli, ju jeni futur në koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën. Pse pikërisht me këto dy parti, kur dihet se ju keni pasur edhe oferta të tjera serioze?

Behxhet Pacolli:

Po ka pasur një presion të heshtur ndaj AKR që të shkojë e vetme në zgjedhje. Po të ndodhte kjo, zgjedhjet do t’i fitonte ndonjë parti tjetër, ndërsa ne do të mbeteshim pa ndonjë zgjidhje konkrete. Neve na kanë ofruar bashkëpunim disa parti. E konstatuam që bashkëpunimi me LDK ishte shumë i natyrshëm, duke parë pikat tona programore dhe synimet e qeverisjes. Kushti ynë ka qenë që programi ynë të implementohet në përgjithësi dhe këtë kemi arritur, që diku mbi 90 % e programit tonë të jetë pjesë e programit të ardhshëm qeverisës.

DW: Cilat janë elementet kryesore të programit tuaj me të cilin garoni, sepse konkurenca kësaj radhe është shumë e madhe?

Pacolli:

Besoj se ka ndryshuar vetëdija e qytetarëve dhe me ndryshimin e vetëdijes së tyre, do të ndryshojë edhe situate në favor të koalicionit tonë. Pikat e programit tonë bazohen tek zhvillimi ekonomik, sepse ekonomia duhet të jetë në qendër të vëmendjes. Ne duhet të arrijmë rritje ekonomike mbi 8%, që mundëson hapjen e shumë vendeve të punës. Duam krijimin e tregut të lirë mbarëshqiptar të përbashkët, sepse ne jemi mbi 10 milionë shqiptarë, të cilët duhet të kenë një treg të përbashkët. Këtu flas për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Pika tjetër është ulja e normave tatimore dhe ndryshimet në dogana. Jetësimi i zonave të lira ekonomike në vend, por edhe synime të tjera.

DW: Nuk ju duket e tepërt, nëse premtoni se do të arrihet një zhvillim mbi 8%?

Pacolli:

Jo, nuk më duket e tepërt, sepse këtu ka shumë punë për të bërë. Në Perëndim kjo është e pamundur, por në Kosovë po. Ne kemi fuqi të jashtëzakonshme punëtore dhe gatishmëri për investime. Kemi nevojë për zhvillim të hovshëm, infrastrukturë dhe shumë projekte të tjera. Ka shumë të interesuar nga jashtë për investime në Kosovë. Parakusht është funksionimi i ligjit dhe shtetit juridik. Unë kam sinjale të qarta për gatishmërinë për investime, sepse Kosova ka fuqi të jashtëzakonshme pune.

DW: Nga cilat vende ka interes për investime në Kosovë?

Pacolli:

Nga Italia, Gjermania dhe vende të tjera, sepse këtu fuqia punëtore është shumë më e lirë. Ndërkohë që edhe lehtësimet fiskale janë më të mëdha. Në Kosovë kemi një politikë shumë më të volitshme fiskale, sepse këtu paguhen vetëm 10%, ndërsa në vendet tjera shumë më shumë.

DW: Si do ta zgjidhni problemin e demarkacionit?

Pacolli:

Unë e di që problemi i demarkacionit është i zgjidhur. Në momentin kur është dashur, ai nuk është nxjerrë në parlament për miratim. Por marrëveshja është nënshkruar mes Malit të Zi dhe Kosovës dhe këtë problem duhet ta zgjidhë qeveria e ardhshme. Nuk ka ndonjë rrugë tjetër, përveç ratifikimit. Tani Mali i Zi është edhe pjesë e NATO-s dhe nuk besoj që dikush mund të premtojë apo mendojë se mund ta zgjidhë këtë problem jashtë ndonjë rruge ligjore.

DW: Pra kjo marrëveshje duhet të ratifikohet?

Pacolli:

Po, por nëse ka zëra kundër, atëherë duhet ta përgatisin dokumentat dhe t’a dërgojnë çështjen në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit.

DW: Cili është qëndrimi juaj ndaj dialogut me Serbinë, sepse qeveritë e mëparshme kanë nënshkruar 33 marrëveshje, por pak prej tyre janë realizuar në tërësi?

Pacolli:

Dialogu është shfrytëzuar nga të dy palët për qëllime personale personale. Nëse janë takuar në Bruksel për një pije, apo për ndonjë bisedë, e kanë shfrytëzuar ate për opinionin e brendshëm. Dialogu duhet të vazhdojë por me një seriozitet shumë më të madh. Duhen ndryshuar ndoshta edhe temat…

DW: Për cilat tema e keni fjalën?

Pacolli:

Për temat të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Për shembull, njëherë e përgjithmonë duhet të garantohet lëvizja e lirë. Pse të mos ketë një marrëveshje ku njerëzit të kalojnë kufirin pa kontroll fare, apo vetëm me letërnjoftim?

DW: Si i mendoni raportet me Serbinë në të ardhmen?

Pacolli:

Kosova duhet të ketë raporte të mira me fqinjët e vet, pra edhe me Serbinë. Dy të tretat e territorit të Kosovës kufizohen me Serbinë dhe do të ishte çmenduri nëse mendohet se duhet të mbesim të izoluar apo në raporte të këqija me fqinjët. Nëse synojmë shtëpinë e madhe evropiane, ne duhet t’i rregullojmë problemet në vend dhe raportet edhe me Serbinë.

DW: Mendoni se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet sipas marrëveshjes së nënshkruar, apo duhet rinegociuar edhe për këtë çështje?

Pacolli:

Unë mendoj se përderisa nuk preket sovraniteti i Kosovës, kufijtë dhe pavarësia e saj, nuk duhet rinegocuar diçka. Marrëveshja ekziston dhe në botën e civilizuar marrëveshjet zbatohen. Marrëveshja duhet të zbatohet nëse nuk cënon sovranitetin e Kosovës. Unë i konsideroj asociacionet si një lloj OJQ – kështu e mendoj edhe asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diçka tjetër është nëse ky asociacion e konsideron veten si diçka eksteritoriale. Ne duhet të investojmë edhe atje dhe të krijojmë kushte për zhvillim ekonomik. Ne kemi përgatitur planet për një ekonomike në jug të Mitrovicës dhe shpresojmë që edhe Veriu do t’i bashkohej.

DW: Cili është qëndrimi juaj ndaj Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të UCK? A do t’i dërgoni atje personat e kërkuar?

Pacolli:

Unë nuk besoj se do të mbetet shumë të korrigjohet. Nëse një vendim ësthë miratuar në parlamentin e Kosovës, nuk besoj që qeveria e ardhshme mund të ndryshojë diçka. Ne jemi duke ndërtuar një shtet të së drejtës. Nëse dikush ka një të shkuar kriminale, ai duhet të përballet me ligjin. Nëse ka njerëz që përndiqen, atëherë ata me siguri që me dëshmitë e tyre do të dëshmojnë se nuk janë fajtorë.

DW: Një problem shumë i madh për Kosovën është edhe problem i ndërlidhjes së fesë dhe terrorizmit ndëkombëtar, sepse nga Kosova kanë shkuar qindra persona për të luftuar në vendet tjera. Si do ta zgjidhni ju këtë problem?

Pacolli:

Po ky është një problem i madh. Por nuk kisha dashur t’a ndërlidh kurrë fenë islame në Kosovë me sektet e ndryshme. Feja tradicionale në Kosovë – katolike, myslimane apo dhe të tjera – gjithmonë ka qenë në favor të familjes dhe krijimit të shtetit. Gjithmonë kanë punuar në favor të kombit dhe kjo është motoja që duhet të vlejë edhe në të ardhmen. Sektet me siguri që janë të papranueshme, sepse e dëmtojnë edhe fenë tradicionale.

DW: Por kjo ka ndodhur…

Pacolli:

Unë besoj se kjo ka ndodhur për shkaqe ekonomike. Kosova gjithmonë ka qenë e orientuar drejt Perëndimit, ka qenë pjesë e civilizimit evropian. Shkuarjet në Lindje nuk kanë qenë kurrë në rend dite tek ne. Kjo ka ndodhur për shkaqe ekonomike dhe besoj se shumica dërmuese e tyre e kanë kuptuar gabimin. Shumica dërmuese e tyre janë kthyer. Ka dhe ekstremistë që kanë mbetur atje, por Kosova ka ligje shumë rigoroze dhe ata kurdo që kthehen do të përballen me ligjin.

DW: Këto ditë kemi dëgjuar deklarata të ndryshme për përdorimin e simboleve fetare në shkolla dhe institucione. Cili është qëndrimi juaj ndaj përdorimit të këtyre simboleve?

Pacolli:

Veshmbathja është një gjë demokratike dhe personale e njerëzve. Kjo ndodh edhe në vendet më të civilizuara evorpiane. Secili ka të drejtë të vishet sipas dëshirës dhe nuk është në rregull që të ndalohet bartja e shamisë. Nuk bëhet fjalë për ferexhe, por për shami koke. Ferexheja është diçka krejt tjetër që ne nuk e lejojmë ate, ndaj këtu bëjmë një dallim shumë të madh. Mendoj se çdo ndërhyrje në kufizimin e këtyre gjërave do të ishte kufizim i të drejtave të njeriut.

DW: Ju keni pasur vitet e fundit shumë aktivitete për njohjet e Kosovës, por dy vitet e fundit ka ndaluar ky angazhim. Do të vazhdoni këtë angazhim dhe në cilat rajone do të angazhoheni në të ardhmen?

Pacolli:

Njohjet e Kosovës janë shumë me rëndësi. Unë e kam këtë mundësi, sepse dyert për mua kanë mbetur të hapura tek krerët e shumë shteteve në botë. Dy vitet e fundit nuk jam angazhuar, por do ta rifilloj këtë proces. Synimi është që në mandatin e ardhshëm të kemi 150-160 njohje. Synimi ynë është që të garantojmë 2/3 e njohjeve të vendeve që mundëson edhe anëtarësimin në OKB.

DW: Ku do të angazhoheni më së shumti?

Pacolli:

Gati gjysma e Afrikës nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që problem të mëdha ka edhe me njohjet nga vendet e Amerikës Jugore. Unë jam duke përgatitur një udhëtim pikërisht atje, pra në Amerikën Latine, dhe procesi i njohjeve do të vazhdojë. Kosovës i nevojiten shumë miq.

DW: Zoti Pacolli, këto janë premtime të cilat kërkojnë edhe mbështetje parlamentare. Çfarë do të bëni nëse nuk i fitoni zgjedhjet: jeni të gatshëm për koalicion me subjektet e tjera dhe cilat?

Pacolli:

Ky kapitull tani është mbyllur, sepse me improvizime nuk mund të shkohet përpara. Kanë kaluar 18 vite dhe nuk është bërë asgjë. Imazhi i Kosovës është goxha i dëmtuar jashtë vendit. Po vihen në pikrpyetje edhe shumë miqësi me vendet e tjera. Unë besoj se do të jemi fitues, por nëse ndodh ajo që po flisni ju, blloku ynë do të jetë në opozitë. Do të jemi opozitë shumë e fortë dhe nga bankat e opozitës do të punojmë për realizimin e synimeve tona.

DW: A mund të bashkëpunoni me koalicionin PAN apo me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve?

Pacolli:

Unë besoj se jemi goxha afër me Vetëvendosjen. Ne do të bisedojmë me ta dhe do të unifikojmë disa synime tonat.

DW: Pra jenit të gatshëm për bisedime me Vetëvendosjen?

Pacolli:

Unë besoj që po, sepse pavarësisht dallimeve dhe problemeve me doktrinën e tyre politlike, synimi i tyre, veç partive të bllokut tonë, është shumë i pastër.

DW: Ju keni pasur ca probleme me partitë e koalicionit PAN. A do të thotë kjo se nuk do të bashkëpunoni me këtë koalicion, sepse flitet që keni pasur edhe probleme personale me disa prej tyre?

Pacolli:

Jo probleme personale, absolutisht jo, sepse unë nuk jam një person që udhëhiqet nga parimet apo tekat personale në politikë. Por besoj se politikisht bashkëpunimi me PDK është pothuajse i pamundur./

DW