Ish-Kryeministri Sali Berisha tha se azilkerkuesit nga Shqipëria në Francë kanë arritur nivelin e dyfishit të të gjitha vendeve të tjera marrë sëbashku dhe se Parisi zyrtar po shkon drejt rivendosjes së vizave me vendin tonë.

“Te dashur miq,

Shqipëria po ecën drejt vendosjes të sigurt të vizave. Mediat njoftojnë se azilkërkuesit nga Shqipëria në Francë për periudhën janar-gusht arritën 7256 vetë, sa dyfishi i të gjitha vendeve tjera si Afganistan, Siri, Sudan, Haiti të marra së bashku. Mediat njoftojnë se autoritetet franceze shohin zgjidhje të vetme rikthimin e vizave për shqiptarët. Javët qe kaluan autoritetet e zbatimit te ligjit të Mbretërisë së Holandës i dorëzuan parlamentit të vendit një raport, në të cilin informojnë për rritjen dy vitet e fundit me 700% te kriminalitetit shqiptar në këtë vend dhe rritje te madhe të azilkërkuesve nga Shqipëria. Ky është një ndëshkim madhor që Edvin Kristaq Rama i bëri Shqiperisë. Ai po i privon shqiptaret nga arritja e madhe e jetës se tyre!”, shkroi Berisha në një status në Facebook.

Shqiptarët udhëtojnë pa viza drejt vendeve të zonës Schengen që prej vitit 2011, por kohët e fundit është rritur shqetësimi për rrezikun e heqjes së liberalizimit të vizave pas numrit të madh të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian. /tvklan.al