Ish-kryeministri Sali Berisha doli përpara mediave për të denoncuar atë që ai e quajti një mega-aferë korruptive shqiptaro-serbe me energjinë elektrike në kaskadën e Lumit Drin, pas së cilës tha se qëndron  kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Berisha iu referua një tenderi, sipas tij të marrë në shkelje të ligjit e procedurave, si dhe në fshehtësi të plotë që i është dhënë nga KESH sha kompanisë serbe EFT.

Sali Berisha:

“Me datë 30.06.2016, KESH, sipërmarrja që ka për drejtor një Agron Hetoja hap tenderin me subjekt shprehje interesi për marrëveshjen në kuadër për depozitimin e energjisë elektrike. Një tender i cili mbahet në sekret të plotë. Pa shpallje zyrtare, pa ftesë për kompani ndërkombëtare prezente në tregun energjetik shqiptar, por thjesht publikuan në arkivin e faqes së internetit të KESH.sha dhe në atë tender lind një kontratë monstruoze korruptive për llogari të Edi Ramës dhe hajdutit me fytyrë njeriu Damian Gjiknuri. Kompania EFT merr gjithë prodhimin në energjetik të Drinit.”

Berisha e akuzoi ministrin Gjiknuri se, në kundërshti me kompetencat që i ngarkon ligji nuk ka zbatuar një vendim të Entit Rregullator të Energjisë, i cili detyronte KESH-in të ndërpriste marrëveshjen me EFT-në.

Sali Berisha:

“Pasi kompanitë ndërkombëtare që morën pjesë në tender paraqitën ankesat e tyre në institucionet përkatëse me kërkesë për anulimin e këtij tenderi me bazë ligjore të papërcaktuar dhe pa kushte të qarta realizimi të kësaj marrëveshje me një kompani të vetme me datë 05.08.2016, ERE nxjerr vendimin numër 131. KESH.sha të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm. Ky vendim i ERE nuk respektohet nga KESH.sha, i cili procedoi në lidhjen e kontratës me kompaninë EFT pavarësisht se ERE e urdhëroi të ndalojë çdo gjë. Hatoja ky hajdut me çizme zbaton urdhrin e Edi Ramës nëpërmjet Damianit dhe vetë Damiani, hajduti me fytyrë njeriu i dërgon shkresë ERE me kërkesë që ERE të tërheqë vendimin.  Vetë Damiani i dërgoi shkresë entit ku i thotë që ERE të tërheqë vendim Kjo është shkelje e kompetencave të Ministrit.”

Ish-kryeministri shpjegoi sesi sipas tij kompnia në fjalë do të realizojë vjedhjen e pasurisë publike. Berisha kërkoi nga prokuroria që të thërrasë të pandehur për atë, që ai e cilësoi si një ndër aferat më të mëdha korruptive, kreun e qeverisë, ministrin Gjiknuri dhe drejtorin e KESH-it. Ish-kryeministri i bëri gjithashtu thirrje prokurorisë serbe të hetojë lidhur me këtë tender./TV KLAN