Të ulur këmbëkryq mes protestuesve, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish – Kryeministri Sali Berisha, kanë theksuar se nuk do të largohen deri në largimin e qeverisë. Në një prononcim për mediat, Berisha tha se Edi Rama duhet të largohet sa më parë. Ai shprehu vendosmëri për të qëndruar në shesh deri në përmbysjen e banditokracisë.

Ish – Kryeministri e konsideroi protestën e ditës së sotme si fillimin e një revolucioni demokratik. 

“Me shpirt do qëndroja 24 orë këtu, gjer në momentin e fitores. Do shkoj dhe do vij, por ama revolucioni demokratik filloi dhe nuk ka forcë në botë që t’i rezistojë. Edhe njëherë, e ftoj Edi Ramën të largohet një minutë e më parë, të dorëzojë pushtetin dhe të niset drejt koshit të plehrave të historisë. Ky është revolucion i vërtetë, sepse ky synon përmbysjen e banditokracisë dhe zëvendësimin e saj me vlerat e demokracisë. Ndaj ky është revolucion, revolucionet janë ato që i mëshojnë rendit, ky është një rend banditokrat. Kjo është protesta më e madhe që Tirana ka parë në tërë ekzistencën e saj, absolutisht. Domethënë nuk ka patur kurrë ndonjëherë një masivitet, një energji, një entuziasëm, vendosmëri dhe përgjegjësi qytetare si kjo. Mesazhet janë paqësore, por duhet t’i lexojë Edi Rama mirë. Të mos kthehet, le të rrijë në malet e Sharrit më mirë, atje ku është”, 

u shpreh ish – Kryeministri.

Më herët, në një postim në rrjetet sociale Berisha shkruajti se në shesh ishin mbi 500 mijë protestues, në atë që ai e konsideroi si “funeralin e Rivdekjes”.

Edhe kreu i PD Basha tha se do të qëndrojnë në shesh derisa të garantohen zgjedhje të ndershme dhe të lira, si dhe të krijohet një qeverie teknike./tvklan.al