Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka konsideruar një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit.

“Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur! Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumenteve bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumenteve të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve”.

“Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve”, thotë Berisha.

Sipas tij, vetëm një Ballkan i vendeve sovrane dhe të barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE dhe NATO./tvklan.al