Ish-Kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta në adresë të Ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin se qëndron pas tentativës së kryeministrit Rama për të përjashtuar opozitën nga reforma në drejtësi.

Duke folur nga çadra e opozitës Berisha tha se me qëndrimet e saj zonja Vlahutin po e çon Shqipërinë drejt destabilizimit.

Berisha: “Çuditërisht në krah të Ramës u rreshtuan edhe guvernatorja dhe në një farë mënyre, për hir të së vërtetës më pak, ambasadori Lu, por Vlahutin me deklarata te njëpasnjëshme, sa u detyrova t’i përgjigjem që ti me këto deklarata çon drejt destabilizimit Shqipërinë.”

Pas reformës në drejtësi ish-kryeministri tha se qëndron Xhorxh Sorosi. Ai i kërkoi senatit e kongresit amerikan si dhe Parlamentit Europian të hetojnë veprimtarinë  e Sorosit që sipas tij favorizojnë krimin e bandat.

Berisha: “E bënë draftin me specialsitë të huaj, majmërisht të paguar nga Xhorxh Soros. I bëj thirrje senatit amerikan, kongresit amerikan të bëjë ligje që t’i ndalojë çdo veprim kësaj monstre në demokraci të reja, në të cilat ai favorizon krimin, bandat. I bëj thirrje parlamentit Europian të hetojë tentakulat e tij në Komisionin Europian dhe kudo, e të ndërpresë veprimet e tij. Një njeri si ai meriton vetëm një gjë, ‘non grata’.”

Akuza të forta lëshoi edhe në adresë të kryeministrit Rama, kur komentoi katër ministrat e shkakruar.

Berisha tha se pavarësisht largimeve në qeveri, opozita nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Vetëm pas një marrëveshje të tillë u shpreh ish-kryeministri opozita do të bëhet pjesë e miratimit të ligjeve të reformës në drejtësi, bazuar në ndryshimet kushtetuese të miratuara me consensus në 22 korrik.

Tv Klan