Për ish – Kryeministrin Sali Berisha, arsyet e dhëna nga Kryeministri Edi Rama për largimin e ministrave janë tallje nga ana e këtij të fundit me shqiptarët dhe me katër ministrat që largoi.

Në një postim në rrjetet sociale, ish – Kryeministri e konsideroi të turpshme deklaratën e Ramës dhe tha se në të vërtetë ka vetëm një qëllim, që t’u mbyllë gojën të shkarkuarve për të gjitha informacionet e faktet, që sipas Berishës, ata kanë për afera të mëdha korruptive dhe lidhjet kriminale të Kryeministrit.

Berisha shkruan se shkaqet e renditura nga Rama për largimin e tyre nga qeveria janë motive për të cilat ata meritonin të emëroheshin apo të riemëroheshin në detyrat nga të cilat u hoqën.

Më poshtë gjeni statusin e plotë:

Tallja cinike e Edvin Shullazit apo frikë e madhe nga të shkarkuarit!

Të dashur miq, sot Edvin Kristaq Rama, duke u tallur me shqiptarët dhe katër ministrat që shkarkoi, renditi si shkaqe të përzënies së tyre nga qeveria pikërisht shkaqe dhe motive për të cilat ata të katërt meritonin të emëroheshin apo riemëroheshin në detyra, nga të cilat ata u qëruan.

Duke e bërë veten cinik dhe qesharak para shqiptarëve dhe vartësve të tij, ai tha sot se unë mund t’ju them çfarë të dua. Kështu, me një deklaratë që nuk mund të bëjë kurrë një kryeministër i një vendi të lirë, ai tha se: njëri iku si kampion i qeverisë, tjetri stafëtar i saj, i treti viktimë e mafies dhe i katërti, historik.

Pavarësisht nga motivet tejet të rënda të shkarkimit të tyre, përfshi këtu ultimatume të partnerëve, në të vërtetë me këtë deklaratë, që do mbetet në analet e turpit dhe që mund të bëhej vetëm në një shpellë mafie para ekzekutimit të kumbarëve, kryekumbara, i trembur deri në palcë nga viktimat e tij, ka një dhe vetëm një qëllim. Ai do me çdo kusht t’ju mbyllë gojen të shkarkuarve për të gjitha informacionet, faktet, dokumentet, dosjet e aferave të mëdha korruptive dhe lidhjeve kriminale të vetë Ramës, të cilat, të denoncuara publikisht do të bëjnë të duken lule apo thjesht një kafe, denoncimet e Manjanit për Ramën dhe organizatën e tij kriminale, që ai drejton!

Më herët Kryeministri Edi Rama konfirmoi largimin nga qeveria të ministrave Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Blendi Klosi e Bledi Çuçi. Ai sqaroi se arsyet nuk kanë të bëjnë me protestën e opozitës, ndonjë kërkesë të aleatit Meta apo për rezerva mbi punën e ministrave, por vetëm me angazhimin e tyre në fushaten elektorale, si koordinatorë të qarqeve të rëndësishme. /tvklan.al