tiranaBanka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim redukton pritshmëritë ekonomike për vendet e Europës Jug-Lindore. Ndikimin kryesor e kanë patur përmbytjet masive kryesisht në Serbi e Bosnje dhe vështirësitë me të cilat po përballen financat bullgare.

Këta faktorë kanë bërë që BERZH të ulë ndjeshëm pritshmëritë për rritje ekonomike nga këto vende. Në të njejtën kohë, vijnë parashikime pozitive për vende si Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Për Shqipërinë, progresi ka të bëjë me shlyerjen e borxheve. Ndërsa për Maqedoninë dhe Malin e Zi, rol të rëndësishëm në parashikimet pozitive kanë projektet e mëdha për përmirësimin e infrastrukturës publike.

Për Qipron, ku veprimtaria e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nisur rishtazi, parashikohet vazhdimi i recesionit të thellë ekonomik. Megjithatë theksohet se shenjat e besimit dhe optimizmit po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Edhe për vitin 2014, ekonomia e këtij vendi do të bjerë me 3.5%. Rritja pritet të nisë vetëm në vitin 2015, megjithëse raporti vlerëson se në të ardhmen ka mjaft paqartësi për ekonominë.

Përmbytjet e mëdha të muajit Maj, bënë që BERZH të ulë parashikimet për Bosnjen në 0.2%. Para përmbytjeve, pritej që ekonomia të kishte një rritje në 1.8%. Për Serbinë, të prekur gjithashtu nga përmbytjet e Majit, parashikimi është edhe më i zymtë. Rënie ekonomike në -0.5%, nga parashikimi i mëparshëm për rritje deri 1%.

Këto vende pritet të nisin me rimëkëmbjen ekonomike vetëm vitin e ardhshëm.

TV KLAN