Lëvizja BESA është afër marrëveshjes me LSDM për bashkëqeverisje. Siç mësohet nga burime partiake, kjo parti ka harmonizuar parimet e bashkëqeverisjes sa i përket LSDM, por kërkon që të qartësohet pozicioni i saj karshi BDI, e cila është një nga shtyllat e qeverisë, për shkak të numrit të deputetëve. Kësaj partie deri tani i është ofruar posti i nënkryetarit të Kuvendit si dhe tre ministri. Sa i përket ministrive spekulohet për disa resorë por më sigurt do të jetë posti i zv/kryeministrit për çështje ekonomike, ministria e drejtësisë, pushtetit lokal dhe një ministri pa resor. Po ashtu në pazar janë edhe zv/ministra dhe drejtor.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami mbrëmë theksoi se me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev, kanë biseduar për parimet e një bashkëqeverisje, që do të garantonin për nje qeverisje reformatore. 

“Vazhdojnë kontaktet, bisedimet. Sot kishim një takim me kryetarin e LSDM-së ku biseduam për parimet e një bashkëqeverisje, parime të cilat do të garantojnë që kjo qeverisje vërtetë do të jetë reformatore dhe do të punojë në interes të qytetarëve e jo si deri tani një qeverisje e cila nuk ka qenë transparente dhe e solli Maqedoninë në këtë gjendje në të cilën është aktualisht”, tha Kasami.

I pyetur nga gazetarët se a është Zoran Zaev personi i cili mund t’i garantojë këto parime, Kasami tha se “është Lëvizja BESA, nëse do të jetë pjesë e Qeverisë, që do t’i garantojë këto parime”.  (INA)