Investimet e huaja direkte në Kosovë vitin e kaluar kanë shënuar rënie për rreth 100 milionë euro, në krahasim me vitin 2015.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet ndërkombëtare të pranuara vitin e kaluar në Kosovë kanë arritur në 215.9 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vitin 2015, kur investimet e huaja ishin 309.8 milionë euro.

Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si mjete të domosdoshme për zhvillim ekonomik, në dekadën e fundit, kryesisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ka pasur luhatje të mëdha në vlerën e investimeve direkte të huaja.

Kurse, Kosova konsiderohet me potenciale të mjaftueshme dhe atraktive për investitorët potencialë, thonë ekspertë për çështje ekonomike, nëse në këtë kuadër autoritetet kompetente krijojnë kushte më të favorshme. /REL