Temperaturat e larta dhe mungesa e rreshjeve prej disa javësh e kanë çuar ujëmbledhësin e Bovillës në kuotën e 316,50 metrave duke shënuar rënie me 1,5 metra.

Bovilla nuk ka kapur nivelet me të ulta por sërish ka vënë në emergjencë kryeqytetin, 15% e të cilit po vuan mungesën e ujit të pijshëm.

Verë e kaluar rënia e nivelit të ujit në ujëmbledhës arriti deri në 6 metra ndërsa rekordi historik është shënuar 4 vjet më parë ku niveli i ujit në Bovillë në ujëmbledhës ra me 8 metra.

Sipas sinoptikanëve, kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe pa shumë reshje, duke riskuar që niveli i Bovillës  të vazhdojë të ulet.

Pavarësisht rënies së nivelit në ujëmbledhësin e Bovillës, impianti nuk e ka ulur rendimentin, aktualisht ai filtron dhe hedh në rrjet 1800 litra ujë në sekond nga impianti i Bovillës furnizohet rreth 60%  e Tiranës.

Një Task-Forcë e ngritur nga Bashkia e Tiranës për të mos lejuar abuzimin me ujin e pijshëm, shpalli gjendjen e emergjencës. Kryebashkiaku Erion Veliaj shfrytëzoi inspektimin e punimeve për rrjetin e ri të Ujësjellësit në Shkozë për t’u drejtuar një tjetër thirrje qytetarëve.“Po hyjmë në një periudhë shumë të nxehtë një periudhe thatësire ju kërkoj të gjithë banorëve të tregojnë kujdes për ujin e pijshëm, është e vërtetë Tirana ka ujin e pijshëm më të lirë në gjithë Shqipërine por kjo nuk është arsye ta shpërdorojmë, do të doja të tregojmë më shumë kujdes”, tha Veliaj.

Sinoptikanët parashikojnë se ashtu si qershori, edhe korriku do të jetë i nxehtë, me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë celsius.

TV KLAN