ministria-e-financave

Në 6 muajt e parë të këtij viti, në arken e shtetit u derdhën 182.97 miliardë lekë, me një rritje prej 4.4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por në krahasim me planin e bërë, mungojnë 8.6 miliardë lekë. Të dhënat janë publikuar të hënën nga Ministria e Financave dhe në buxhet mungojnë 24.6% i të ardhurave të planifikuara.

Mosrealizimin më të madh e kanë shënuar të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat. Ato mblodhën 120 miliardë lekë, po aq sa 6 mujori i parë i vitit 2014, por janë 13.4 miliardë lekë më pak se ajo që qeveria kishte planifikuar.

Edhe mbledhja e TVSH -së ka shënuar një performancë të dobët. Nga TVSH -ja janë mbledhur 5.3% më pak se e njëjta periudhë të një viti më parë, ose 2 miliardë lekë më pak se plani.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo lidhet me ndryshimin e strukturës së konsumit që mund të ketë kaluar drejt përdorimit të prodhimit vendas dhe jo mallrave të importit, siç mund të jetë duhani apo nafta.

Rritje në krahasim me një vit më parë kanë shënuar të ardhurat nga akciza, që kanë mbledhur 17.4 miliardë lekë, por në raport me planin e bërë më parë, mungojnë 5.67 miliardë lekë të tjera.

Vetëm të ardhurat nga tatim – fitimi u rritën me 21.7% ose 13.6 miliardë lekë dhe janë zëri i vetëm që paraqitet më mirë se plani. Kjo lidhet edhe me rritjen e nivelit të taksimit nga 10 në 15% nga 1 Janari i këtij viti.

Ulje ka shënuar ndërkohë tatimi mbi të ardhurat personale, që është një tjetër zë me performancë negative, pavarësisht rritjes së tatimit mbi të gjitha të ardhurat, përveç tatimit mbi pagën.

Ecuri të mirë kanë treguar të ardhurat nga fondet speciale dhe të ardhurat jo tatimore si shitja e liçensave të telekomunikacioneve dhe rritja e tarifave të universiteteve.

Tv Klan