“Big Ben”, Kulla e famshme e sahatit të Londrës që është e vendosur në Parlamentin e Britanisë së Madhe ka heshtur sot pas plot 157 vitesh.

 “AA” raporton se kambana e Big Ben-it (Great Bell), e cila është dëgjuar edhe në vitet e Luftës II Botërore, do të heshtë për katër vite pasi e gjithë kulla ELizabeth dhe sahati do t’i nënshtrohet riparimit.

Kambana e Big Ben-it për herë të fundit u dëgjua në mesditën e të hënës sipas orës lokale, e shoqëruar nga një grup i vogël ligjvënësish të Britanisë së Madhe, që u tubuan jashtë Parlamentit.

Mirëpo, qeveria tha se kambana “ende mund të bie për ngjarjet e rëndësishme kombëtare si festat e Vitit të Ri dhe E diela e përkujtimit”.

Kujdestari i orës së Big Ben-it, Steve Jaggs, javën e kaluar tha se “Heshtja e Big Ben është një arritje domethënëse në këtë projekt të rëndësishëm të ruajtjes”. Ai shtoi se ky program thelbësor i punës do të ruajë orën si dhe Kullën Elizabeth në një kohë të gjatë.

E gjithë kulla do t’i nënshtrohet një projekti 29 milionë paundësh rinovimi që do të zgjasë deri në vitin 2021.

Tingëllima e Big Ben-it për herë të parë u dëgjua më 11 korrik të vitit 1859.