Gjatë kësaj jave, Policia Kufitare ka kapur në flagrancë 23 persona që po largoheshin nga vendi ilegalisht përmes kufirit jeshil, pasi kishin probleme në hapësirën Shengen.

Gjithashtu, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, si rezultat i kontrollit me rigorozitet të dokumentacionit për të udhëtuar në vendet e BE-së, janë prapësuar 309 qytetarë që nuk justifikonin arsyen e lëvizjes për në vendet e BE-së.

Po kështu, zyrtarisht bëhet me dije se janë proceduar 7 persona për falsifikim dokumentesh dhe janë kapur 9 persona në kërkim. Sa i përket trafikut të drogës, Policia Kufitare ka zbuluar dy raste të trafikut të lëndëve narkotike dhe një rast të trafikut të mjeteve motorike.

Gjatë patrullimeve në kufirin jeshil, janë kapur dhe prapësuar në mënyrë vullnetare 21 shtetas, klandestinë, të ardhur nga vendet e treta, nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek me qëllim kalimin për në një nga vendet e BE-së.

Gjatë patrullimit në kufirin detar gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht dy shtetas që kanë lëvizur nga vendbazimet me mjetet lundruese gomone pa njoftuar më parë për lëvizjen.

Po në drejtim të parandalimit të trafiqeve të paligjshme që mund të kryhen nëpërmjet kufirit jeshil, Policia Kufitare, po kryen patrullime të përbashkëta me policitë homologe kufitare, të Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi e Kosovës, duke koordinuar veprimet.

/tvklan.al