Deri në datën 15 korrik të gjithë bizneset të cilët kanë të punësuar mbi 100 punonjës duhet të ngrenë një njësi të posaçme e cila konsiderohet si “ struktura e spiunazhit”.

Inspektoriati i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive ka nisur një shkresë në të gjitha ndërmarrjet e mëdha, ku i kujton detyrimin për të caktuar një punëtor të tyre, i cili do të bashkëpunojë me inspektoriatin dhe do të ndihmojë në luftën kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit në administratën publike. Ligji për “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” u miratua nga Kuvendi një vit më parë, ndërsa zbatimi nis në mesin e këtij muaji.

Punonjësi i cili do të informojë mbi transaksionet e dyshimta dhe ryshfetet që bën ndërmarrja në bashkëpunim me administratën shtetërore, do të caktohet nga administratori i shoqërisë ndërsa në momentin që merr detyrën do të ketë një status të veçantë që i garanton mbrojtjen nga presionet brenda kompanisë.

Ligji i ri detyron jo vetëm privatët por edhe çdo strukturë shtetërore me mbi 80 punonjës në aparatin e saj që të ngrenë njësinë e spiunazhit e cila do të denoncojë rastet e korrupsionit dhe shkeljeve në zyrat e administratës publike. Përzgjedhja e stafit i cili do të informojë ILDKPKI do të bëhet në mënyrë sekrete në mënyrë që askush të mos ketë dijeni mbi personin që i vëzhgon. TV KLAN