Bërja me pagesë e kalimit në Rrugën e Kombit për 30 vite kundërshtohet fort nga bizneset, të cilat thonë se do të dëmtojë rëndë shkëmbimet tregtare Shqipëri – Kosovë. Edhe pse ende nuk është përcaktuar, për automjetet e mëdha tarifa e kalimit pritet të jetë 10 euro, ndërsa për mjetet e vogla është zyrtarizuar 5 euro.

Për Konfederatën e Industrive të Shqipërisë, që përfaqëson mbi 300 biznese, bërja me pagesë e një rruge që është ndërtuar me paratë e taksa paguesve shqiptarë është absurde.

Administratori i Konfindustrias thotë se kosto bie mbi biznesin, që do të jetë i detyruar të ndjekë dy rrugë.

Kundërshtime për taksën prej 5 euro në Rrugën e Kombit, ka shprehur sërish edhe Partia Demokratike nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku. Ajo thotë se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 përqind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët.

“Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit. Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 përqind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët. Sipas strategjisë, pagesa për Rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km”.

Partia Demokratike thotë se nuk do ta lejojë aplikimin e një takse të tillë të papërballueshme për xhepat e qytetarëve dhe sipas saj, do ta anullojë këtë koncesion të dyshimtë.

Tv Klan