taksat_3Bizneset e vogla me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit, po përballen prej janarit me një taksë 5 herë më të lartë se më parë.

Ministria e Financave e pranon këtë në relacionin per taksat e biznesit të vogël, ku duke shpjeguar pse kërkon të vërë taksën fikse prej 25 mijë lekë për bizneset me xhiro 2-8 milionë lekë, sqaron se regjimi i ri i taksimit i ka ngarkuar më shumë nga ai i mëparshmi bizneset e me xhiro deri në 2 mln lekë, ku konkretisht thuhet se: Deri në fund të vitit të kaluar këto biznese paguanin përkatësisht shumën 5 dhe 8 mijë lekë në vit si tatim. Pretendimi i tyre se me futjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në masën 25 mijë lekë në vit, ngarkesa e tyre fiskale rritet dukshëm, realisht qëndron.

Ekonomistët që mbajnë bilancet e biznesve të vogla, pohojnë se me taksën progresive, një këpucar, një berber, apo një shitës ambulant paguan gati 5 herë më  shumë se më parë.

Sipas ekspertëve të Drejtorisë së Tatimeve, është propozuar një korrektim i ngarkesës fiskale për këto biznese me qëllim për ta ulur atë.

Kërkesa ka ardhur edhe në komisionet parlamentare, gjatë propozimit të Ministrisë së Financave për të vënë një kufi prej 25 mijë lekë për bizneset me xhiro 2-8 milionë lekë në vit.

Në Komisionin e Ligjeve deputeti Pandeli Majko propozoi të zbresë nga 5 mijë lekë taksa për biznesin me xhiro deri në 2 milionë lekë, pasi sipas tij nuk ka një taksim të drejtë progresiv.

Taksa progresive filloi të aplikohet në janar. Për bizneset me xhiro deri në 2 milionë u vendos taksa fikse 25 mijë lekë, për ata kategorinë 2-8 milionë tatim fitimi zbriti në 7.5% dhe mbi këtë xhiro bizneset përballen me tatim fitimin 15 %.

TV KLAN