Shqetësimin e tyre për ligjin që detyron anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve pranë Dhomave të Tregtisë, përfaqësues të 18 organizatave të biznesit ia paraqitën edhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, me të cilët zhvilluan një takim.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford u shpreh se anëtarësimi i bizneseve pranë këtyre dhomave kundrejt pagesave vjetore që shkojnë deri në 1 milionë lekë të vjetra, nuk është veçse një taksë e fshehtë që qeveria i vë bizneseve.

Shoqata e Bankave paralajmëroi se në mungesë reflektimi nga ana e maxhorancës biznesi do ta godasë atë në Gjykatën Kushtetuese.

Ligji për dhomat e tregtisë është kundërshtuar nga opozita. Në takimin që nënkryetari demokrat Edmond Spaho pati me përfaqësues të biznesit tha se përfaqësuesit e opozitës e cilësojnë antikushtetues ligjin duke u shprehur në favor të dekretit të Presidentit që e ka kthyer për shqyrtim ligjin.

Kundër ligjit është shprehur edhe Dhoma Britanike duke e cilësuar anëtarësimin e detyruar një kosto ekstra dhe gjobvënie ndaj biznesit. Nga ky ligj pritet te preken afro 195 558 biznese aktive në Shqipëri./ TV KLAN