Një biznesmen grek, ish-President i një ekipi të futbollit në Greqi, është arrestuar pasi u kap me 20 kilogramë kokainë.

Gazeta “Eleftheros Typos” shkruan se biznesmeni u arrestua së bashku me tre shqiptarë në Larisa të Greqisë. Operacioni anti-drogë është bërë të mërkurën e kaluar dhe është mbajtur i fshehtë, por ngjarja është zbuluar nga shtypi grek ditën e djeshme.

Sipas “Eleftheros Typos”, tre shqiptarët që u arrestuan se bashku me biznesmenin, janë të përfshirë në një rrjet të gjerë të trafikut të drogës në Ballkan dhe kanë një rol të rëndësishëm.

Në një banesë të biznesmenit grek në fshatin Lazarina, policia gjeti 100 mijë Euro cash që u konfiskuan si dhe 10 kg e 820 gr kokainë. Kurse 10 kg të tjera kokainë janë gjetur në pronën e njërit prej shqiptarëve në fshatin Fiva.

Mediat nuk kanë bërë publik emrin e biznesmenit grek dhe të shqiptarëve të arrestuar për shkak të hetimeve që janë ende duke vazhduar. Autoritetet në Greqi fillimisht ranë në gjurmët e trafikantëve nga Shqipëria dhe më pas zbuluan se i përfshirë ishte edhe biznesmeni.

Ky i fundit është i njohur në shtetin grek, sidomos në zonën e Trikalas, për shkak të një klubi futbollistik që kishte në zotërim.

“Eleftheros Typos” shkruan gjithashtu se biznesmeni që është arrestuar është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri dhe i një kompanie të domateve në Greqi.

Ai është person me precedent penal, pasi në 19 shtator të vitit 2000 u dënua me 6 vite burgim për kontrabandë cigaresh nga Holanda. /

tvklan.al