Tony Blair do të mbyllë të gjitha zyrat e tij të konsulencës, një biznes të cilin ai e kishte nisur qëkur u largua nga detyra si Kryeministër i Britanisë.

Në një deklaratë të publikuar në website-n e tij zyrtar, shkruhet se të ardhurat e mbledhura nga nga ky biznes do të shkojnë për punë organizata/punë jofitimprurëse.

Blair është kritikuar herë pas herë në të shkuarën për përfitimet marramendëse që kanë gjeneruar strukturat e ngritura prej tij, sidomos për punën si këshilltar me qeveri të vendeve të huaja, mes tyre edhe Shqipëria.

Por tashmë, ish – Kryeministri britanik ka vendosur ta mbyllë këtë kapitull dhe t’i japë të ardhurat e mbledhura nga ky biznes për bamirësi.

“Dua të përqendrohem pjesën më të madhe të kohës në punë jo – fitimprurëse. De facto kjo ka ndodhur edhe gjatë këtyre dy viteve të fundit, por është nevojshme që ta reflektojmë këtë ndryshim në mënyrë sesi jemi strukturuar”,

thuhet në deklaratën e Blair.

Ai konfirmoi se do të mbante një numër të vogël konsulecash për të ardhura personale, por 80 përqind e kohës së tij do të shkojë për punë jo – fitimprurëse.

Blair është përballur me kritika për ofrim konsulence për regjime si ai i Kazkistanit. Ai ka ofruar gjithashtu konsulencë për vende si Kuvaiti, Ruanda, Azerbajxhani dhe vendin tonë.

Qëkur Kryeministri Edi Rama u vendos në krye të qeverisë shqiptare, Blair ka patur disa takime dhe ka vizituar vendin tonë.

Në këtë rast është deklaruar se ai nuk ka marrë para nga kryeminstri shqiptar për konsulencën e ofruar.  Të ardhurat personale të Blair, që përfshijnë edhe një numër të madh pronash në bashkë – pronësi me gruan dhe fëmijët, përllogariten të jenë rreth 80 milionë paundë.

/tvklan.al