Sevgyl Kasumi, 33 – vjeç, lindur në Maqedoni dhe banues në Itali ka përfunduar në prangat e efektivëve të Sarandës, pasi bleu sende në dy dyqane të ndryshme të këtij qyteti me para false.

Sipas policisë, gjatë ditës së enjte, Kasumi ka blerë në dyqanin e E.Xh, në lagjen Nr.4 të Sarandës, dy karta për aparatë celular, për të cilat ka dhënë 1 kartmonedhë me prerje 50 euro (1 copë), e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Më pas, 33 – vjeçari ka shkuar në lagjen Nr.1 në dyqanin e Th.D. dhe ka blerë një palë këpucë në këmbim të 50 eurove të tjera, e cila gjithashtu dyshohet të jetë e falsifikuar.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, atij iu gjetën disa monedha të tjera të cilat dyshohen se janë të falsifikuara, arsye të cilat kanë çuar në arrestimin e tij, për veprën penale “Falsifikimi i kartmonedhave”./tvklan.al