Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka reaguar pas lajmeve se shqiptarët e Kosovës po bllokojnë autobusët e serbëve, të cilët kërkonin të udhëtonin drejt Leposaviqit ku do të mbahet një një miting parazgjedhor i Partisë Përparimtare Serbe.

Presidenti Thaçi tha se “bllokimi i rrugëve brenda në Kosovë është bllokim i rrugëve të Kosovës në botë.”

“Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sepse liria e lëvizjes, liria e tubimit, liria e mendimit politik dhe liria e shprehjes janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Këto vlejnë për çdo qytetar të Kosovës dhe askush nuk do të lejohet që t’i cenojë këto të drejta, pa marrë parasysh dallimet në bindje e qëndrime.

Nga logjika e bllokimit të rrugëve, sikurse ndodhi sot në disa qytete të Kosovës, më së shumti përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën shtetit tonë. Institucionet shtetërore duhet ta garantojnë mbrojtjen e këtyre lirive për secilin qytetar” tha Thaçi në një postim në rrjetet sociale.

Katër autobusë me mbi dyqind serbë që ishin nisur për në mitingun e Partisë Përparimtare Serbe që pritet të mbahet në Leposaviq u kthyen këtë mëngjes rreth 8:30 në parkingun në Shillovë, pasi dhjetëra persona bllokuan rrugën kryesore në afërsi të fshatit Llabjan të komunës së Novobërdës, në magjistralen Gjjilan – Prishtinë. Po ashtu, banorët shqiptarë të Vushtrrisë dhe Mitrovicës kanë bllokuar rrugën magjistrale për të ndalur serbët që të marrin pjesë në tubimin të organizuar në Leposaviq në kuadër të fushatës zgjedhore për president të Serbisë./tvklan.al