Sheshi-nn

Sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet vazhdon të mbahet i bllokuar në orët e mbrëmjes, nga ora 19.00 deri në orën 24.00.

Një vendim ky i marrë, jo nga Bashkia e Tiranës në fakt, e cila e ka nën administrim, por nga një vendim qeverie, e cila sanksionin, pa marrë opinionin e organit të qeverisjes vendore, se në këtë shesh që shërben edhe si një nyje e qarkullimit tejet të ngarkuar të kryeqytetit, ndalohet qarkullimi i automjeteve për një orar pik të trafikut siç është mbrëmja.

Vendim ky që detyron çdo natë qindra banorë të Tiranës, të sillen rreth e rrotull nëpër rrugica të ngushta dhe aspak të lirshme, për të shkuar në banesat apo punët e tyre.

Përveç paligjshmërisë së marrjes se vendimit, pasi nuk është Këshilli i Ministrave që e ka për detyrë të merret me bllokimin e qarkullimit nëpër rrugët apo sheshet e Tiranës, ky vendim është tërësisht non sens, sepse në këtë zonë nuk ka asnjë fluks apo interes të veçantë për këmbësorët, fakt ky që tregohet edhe nga këto pamje, ku rrallë sheh ndonjë këmbësor, të cilët nuk janë në fakt aspak në rolin e turistit.

A është sheshi “Nënë Tereza” një hapësirë e cila duhet bllokuar për trafikun dhe tu lihet në përdorim këmbësorëve, duke sjellë një çoroditje akoma më të madhe për dhjetëra e qindra persona të cilët lëvizin në këtë rrugë, pjesë fundore e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”?

Po në qytetet e tjera të mëdha në Europë a bllokohen sheshe që ngjasojnë për nga qëllimi dhe planimetria me atë “Nënë Tereza” në Tiranë?

Përgjigja është e thjeshtë. Në asnjë kryeqytet apo qytet të madh europian, nuk bllokohen sheshe të cilat shërbejnë edhe si nyjë të rëndësishme qarkullimi rrugor, edhe pse rreth e rrotull këtyre shesheve ka godina dhe objekte shumë më të vjetra, të bukura dhe vizitueshme se kompleksi i godinave në sheshin “Nënë Tereza”.

Këtu jemi në Romë.

Roma.Piazza_Venezia

Piaza Venecia, apo sheshi Venecia. Një nyjë e rëndësishme e trafikut në Romë, por që ndodhet në vendin më të vizitueshëm nga turistët pasi anë këtë shesh ndodhet Pallati i Atdheut, një godinë mbresëlënëse por dhe muze të ndryshëm, siç është Pallati Venecia, godina që shërbeu si selia e Duçes, ish – Kryeministrit të Italisë fashiste.

Këtu asnjëherë nuk bllokohet trafiku, as ditën e as natën, pavarësisht mijëra turistëve që e vizitojnë. Nuk ka ndalim as për mjetet e shërbimit urban, as për taksitë e as për veturat e qytetarëve.

Është një nyjë që pavarësisht trafikut në Romë është gjithmonë i hapur dhe i qarkullueshëm, edhe pse rreth e rrotull saj ka godina shumë më shumë historike dhe të bukura se ato të sheshit tonë në Tiranë.

Shkojmë në Paris.

place de la concord

Këtu jemi në Plasë de la Konkord, apo sheshi Concord. Një shesh sa i bukur dhe historik i mbushur me vepra arti dhe plot histori me ngjarje të rëndësishme ndër shekuj dhe që gjendet në mes bulevardit të famshëm Champs D”Elyse dhe ish – Pallatit Mbretëror, sot Muzeu i famshëm i Luvrit.

Por njëkohësisht ky shesh është edhe një nyje tejet e rëndësishme e qarkullimit në këtë kryeqytet të Europës. Prandaj për asnjë moment në këtë shesh që është pjesë e guidës turitike për mijëra turistë që vizitojnë Parisin nuk bllokohet trafiku.

Taksi makina private apo dhe autobuzë kalojnë çdo ditë e çdo natë, mes përmes këtij sheshi, duke vazhduar edhe funksionin e rregullatorit të qarkullimit në qytet.

Barcelona, edhe pse jo kryeqyteti është qyteti më i madh dhe më i vizitueshëm në Spanjë.barcelona_plaza_de_espana

Kjo është Plaza d’Espana, apo sheshi i Spanjës. Më i madhi në këtë qytet. Shesh ku shpesh mbahen aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, por që kurrë autoritetet spanjolle nuk kanë marrë vendim që ta bllokojnë atë çdo natë.

Sepse edhe ky shesh që ngjan më shumë për nga planimetria me atë “Nënë Tereza”, është një nyjë e rëndësishme e qarkullimit rrugor në Barcelonë.

A është sheshi “Nënë Tereza”, më i bukur, më i veçantë, më me vlera historike apo arkitekturore se tre sheshet e mësipërm në Romë, Paris e Barcelonë?

Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen ata që morën vendimin, për bllokimin e sheshit këtu në Tiranë.

Tv Klan