Një person ka rënë në pranga të policisë, pasi ka kanosur pronarin e një guroreje, si dhe ka kundërshtuar efektivët.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lepenicë të Vlorës.

Burime të policisë bëjnë me dije se në pranga ka rënë Vendim Durmishaj, 44 vjeç, banues në Vlorë.

Ky i fundit, në bashkëpunim me disa nga të afërmit e tij ka bllokuar rrugën që të çon pranë një pike të përpunimit të gurit “Gurore” në fshatin Lepenicë, ku ka kanosur pronarin e kësaj pike, Y.S., 53 vjeç, banues në Elbasan, si dhe ka kundërshtuar punonjësit e policisë të cilët kanë ndërhyrë për hapjen e rrugës dhe për normalizimin e situatës.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur për motive të dobëta.

Policia ka bërë arrestimin e tij për veprat penale “Kanosja”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”./tvklan.al