Ben Blushi ftoi Ilir Metën dhe Lulzim Bashën qe te kërkojnë mocion mosbesimi kundër Ramës, si zgjidhje për situatën politike dhe si të vetmen rruge ligjore, kushtetuese e politike për të krijuar një qeveri tjetër.

“Nëse PD ka interes të nxjerrë Rilindjen nga qeveria dhe LSI ka interes të nxjerrë PD nga çadra, janë votat për mocion mosbesimi kundër Edi Ramës. LIBRA do pranonte të rrëzonte Qeverinë për të ngritur Drejtësinë. Nëse PD do pranonte ta kalonte reformën në drejtësi dhe LSI do pranonte të bashkohej në një mocion kundër Edi Ramës dy votat LIBRA do ishin pro në këtë rast.”

Numrat e PD, LSI dhe LIBRA –s, thotë Blushi mund të zgjidhnin edhe Presidentin në dy raundet e mbetura, mund të bënin ndryshimet që OSBE ka parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe natyrisht të garantonin një qeveri teknike deri ditën e zgjedhjeve.

Por, Lulzim Basha ishte i pari qe e refuzoi këtë skenar.

“Sot Beni foli për një mocion. Duke e marrë të mirëqenë që do ketë të njëjtin mendim edhe në darkë si në mëngjes, dua t’i shpjegoj çdo qytetari që kjo nuk funksionon. Ne kërkojmë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, ne nuk duam përjashtimin e PS-së, duhet të ketë mbështetje të gjerë politike”.

Me pas erdhi edhe një reagim i Partisë Socialiste nëpërmjet Taulant Ballës.

“Ben Blushi ose nuk po e kupton siç duhet, ose nuk do ta kuptoje. Problemi i PD nuk ka të bëjë fare as me zgjedhjet dhe as me qeverinë. E kemi thënë që ditën e parë, problemi i Partisë Demokratike është vettingu. Prioriteti i tyre numër një është të bllokojnë vettingun.”

Propozimi i Blushit është një tjetër tentative e dështuar në përpjekjet për të zgjidhur krizën, pas atyre të negociatorëve ndërkombëtarë, që u larguan nga Shqipëria pa arritur të bindin të gjitha palët për plaftormën e tyre.

Tv Klan