Në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, Ben Blushi sheh një skenar të mazhorancës për zgjedhje të parakohshme. Kryetari i LIBRA –s thotë se nuk po jepet kohë opozitës, por kjo është kohë që u shërben Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit për koalicionin e tyre.

“Koalicioni ka skaduar. Koalicioni ka rënë. Tani po digjni edhe presidentin? A ka mundësi një shumicë që pretendon se ka numra, se qeveris, se paska 90 mandate, kjo shumicë po djeg të gjitha turet e presidentit. A keni parë parlament më qesharak se dje në orën 6 thotë do djeg presidentin, kandidat nuk ka, raundi dytë sot në 3? A mund të ndodhë kjo? Më pak se 24 orë? Duke pretenduar se po i jepni kohë PD, në fakt, po blini kohë. Doni të shkoni në zgjedhje të parakohshme? Ça bëjnë zgjedhjet e parakohshme? Do ristartojnë afatet proceduriale. Atë që nuk e bëtë dot në 18 prill doni ta bëni për zgjedhjet e parakohshme. Po kjo është fatale. Do shkoni në koalicion bashkë? Po kjo nuk e zgjidh krizën. Jeni të bindur që me zgjedhje të parakohshme, ato që janë në çadër do ju vijnë në çadër? Atë s’e dimë.

Në kundërpërgjigje, Kryeparlamentari Meta përsëriti se mazhoranca kërkon bashkëpunimin e opozitës në zgjedhjen e Presidentit.

Por teksa kërkoi të mos shtyhen afatet e regjistrimit të koalicioneve, Blushi i kërkoi opozitës të marrë pjesë në zgjedhje, për të ndalur Ramën që të këtë më shumë deputete në parlamentin e ri.

Kryetari i Kuvendit e kundërshtoi edhe në këtë pikë. Por Blushi paralajmëroi se nëse situata do të zgjatet përtej 18 Qershorit, pasojat e saj do të transferohen tek qytetarët. 

Tv Klan