Më 9 tetor në “Loro Boriçi” kemi shanse t’i marrim pikë Italisë. Këtë thotë Erjon Bogdani, trajneri aktual i Kombëtares U19, i cili luajti për shumë vite në Serie A dhe B. 

“Unë mendoj se me Italinë kemi mundësinë të marrim rezultat pozitiv, ndërsa më Spanjën është e vështirë, pasi është ekip më në formë.”

Sipas ish-sulmuesit të Kombëtares këto takime do t’i shërbejnë Christian Panuccit për të njohur lojtarët për të patur të qartë gjithçka për kualifikueset e ardhshme. Shqetësime ka patur me dëmtimet e pezullimet, por duket se do të janë gati Ajeti dhe kapiteni Agolli.

Ky i fundit e ka përfunduar fazën 3 javore të riaftësimit, duke u stërvitur me grupin dhe pritet të jetë pjesë e Qarabag që në sfidën me Roma në Champions League. Një ndihmë për Kombëtaren A jep edhe përfaqësuesja e 19-vjeçarëve e Erjon Bogdanit. Kuqezinjtë e rinj do të jenë pjesë e grupit kualifikues që do të luajë ndeshjet në Shqipëri për Europianin 2018.

“Objektivi im dhe i federatës natyrisht është të zbulojmë lojtarë që të shërbejnë më pas për U21 dhe Kombëtaren e madhe. Një pjesë janë moshë e vogël që do të shërbejnë edhe për vitin tjetër ku mund të tentojmë edhe kualifikimin.”

Në grupin e Shqipërisë janë Ukraina, Mali i Zi dhe Norvegjia. Takimet do të zhvillohen nga 4 deri më 10 tetor në Tiranë dhe Kamëz./Tv Klan