aeroporti i rinasit

Aeroporti i Rinasit po braktiset nga pasagjerët për shkak të çmimeve të larta. Përveç shqetësimit të ngritur nga vetë qytetarët dhe drejtuesit e agjencive turistike, këtë fakt e tregojnë edhe shifrat e Institutit të Statistikave. Sipas të dhënave zyrtare nga ky institucion numri i pasagjerëve gjithsej që kanë hyrë ose dalë në aeroportin e Tiranës në vitin 2014 është më i vogël se katër vite më parë. Shifrat tregojnë që në vitin 2014 nëpëmjet aeroportit të Rinasit qarkulluan 6779  më pak pasagjerë se në vitin 2011. Këto shifra tregojnë më së miri se qytetarët po i shmangen dita – ditës  gllabëruesit të madh të xhepave të tyre.

Në vitin 2014 numri pasagjerëve total që kanë hyrë dhe dalë nga Rinasi është 6779 më i vogël se katër vite më parë.

Rënia më e madhe vërehet në pasagjerët që kanë dalë nga Shqipëria, se sa ato që kanë hyrë. Kjo fakton edhe njëherë faktin se ky aeroport nuk është më tërheqës për qytetarët. Kështu në vitin 2014 nëpërmjet aeroportit Nënë Tereza kanë dalë 6655 pasagjerë më pak se në vitin 2011. Një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe nga drejtues të agjencive të cilët thonë se qytetarët udhëtojnë më shumë se 8 orë për të shfrytëzuar lehtësitë dhe çmimet e lira të aeroporteve të tjera. Sipas agjencive turisike sot ardhja  e turistëve të huaj nga vendet e largëta drejt plazheve të Shqipërisë është me prejardhje nga aeroportet e Korfuzit apo Podgoricës. Që do të thotë se këta turistë sakrifikojnë kohën e pushimit të tyre për të udhëtuar nga këto aeroporte drejt plazheve shqiptare, vetëm për t’ju shmangur çmimeve të larta të avioneve që fluturojne nga Rinasi.

Përveç shfrytëzimit të aeroporteve fqinje, përballja me çmime biletash afro katër fish më të shtrenjta se në vende të tjera të Europës i ka detyruar qytetarët të gjejnë edhe alternativa të tjera, si përshembull me traget apo autobus.

Rritjen e kërkesave të qytetarëve për të udhëtuar me transport detar e konfirmojnë edhe shifrat e INSTAT. Kështu, numri i qytetarëve vendas dhe të huaj që kanë udhëtuar në rrugë detare në vitin 2014 është rritur me 49 535 pasagjerë më shumë, krahasuar me vitin 2013.

Tarifat e larta të shërbimeve të aeroportit të Rinasit për avionet e rrjedhimisht çmimet shumë të larta të biletave të fluturimit, po i detyrojnë shqiptarët ta bojkotojne Rinasin si mundësi fluturimi, duke shtuar udhëtarët e autobuzave, trageteve apo të aeroporteve të Podgorices, Prishtinës, Shkupit apo Korfuzit.

Koncensioni monopol i aeroportit të Rinasit, i pambikqyrur nga qeveria, po rëndon dhe po vështirëson çdo ditë e më shumë mundësinë për të fluturuar nga ky aeroport i vetëm në Shqipëri.

Tv Klan