BE: Kosova refuzoi planin. Reagon NATO

Përfunduan pa një marrëveshje për çështjen e targave takimet maratonë të së hënës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç të ndërmjetësuara nga kreu i politikës së jashtme të BE-së Josep Borell dhe i dërguari Miroslav Lajçak. Borell tha pas takimit se propozimi i tij u pranua nga Vuçiç, por u refuzua nga Kurti duke e hedhur përgjegjësinë tek Prishtina.

Për hir të transparencës, më duhet të them se ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme që presidenti Vuçiç e pranoi, por fatkeqësisht kryeministri Kurti nuk e bëri”, u shpreh Borrell.

Por Albin Kurti tha pas takimit se ishte Borell, ai që hoqi dorë nga propozimi që ishte bërë më herët nga BE për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, praktikisht hoqi dori nga ky afati i Marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.

Deklaratën e Kurtit e hodhi poshtë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sipas të cilit çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi i saj për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA është i pavërtetë.

Ndërsa Aleksandër Vuçiç tha në Bruksel se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e BE-së. Por me kthimin në Beograd, Vuçiç tha se situata është në prag të konfliktit.

Sapo morëm të dhënat e fundit nga inteligjenca. Situata është shumë e vështirë, fjalë për fjalë është në prag të konfliktit”, tha Vuçiç.

Në Prishtinë, presidentja Vjosa Osmani akuzoi Borell si të njëanshëm në bisedime dhe se kishte prezantuar një realitet të shtrembëruar ndërsa ish-kryeministri Ramush Haradinaj i kërkoi Kurtit të shtyjë vendimin dhe të mbledhë urgjent Kuvendin e Kosovës.

Pas një telefonate me Borell ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, që shprehet i zhgënjyer për mosgjetjen e një marrëveshjeje.

Ai thotë se tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike pasi përshkallëzimi duhet të shmanget. “KFOR-i mbetet vigjilent”, e mbyll Stoltenberg.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që prej të martës të vendosë gjoba 150 Euro për serbët që nuk mbajnë targa të Kosovës për automjetet e tyre.

Tv Klan