Mëngjesin e ditës së dytë të vizitës në Tiranë, Kryeministri i Landit Federal të Hessenit, Volker Bouffier, e ndau mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Pasi e quajti pasionante, protestën e opozitës, politikani gjerman, tha se shpreson që qeveria dhe opozita të flasin të njëjtën gjuhë për zhvillimin normal të zgjedhjeve.

Volker Bouffier, Kryeministri i Landit Federal Hessen, Gjermani: “Opozita po përpiqet të ndryshojë situatën dhe ata na thanë ne se e pranojnë faktin që nuk kanë një mazhorancë sepse kjo është një gjë që vetëm vota do ta vendosë, por duhet të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë i thashë kryeministrit që shpresoj që të dyja palët të gjejnë rrugën e duhur dhe të përbashkët për procesin zgjedhor. Për sa i përket protestës, është normale. Në demokraci ka qeveri dhe opozitë.”

Procesin e Vettingut, Volker Bouffier, e përmblodhi vetëm në një fjali.

Volker Bouffier: “Preferoj që procesi i vettingut të nisë menjëherë…”

Qëndrimet e tij, Kryeministri i Landit Federal të Hessenit, Volker Bouffier, i bëri gjatë takimit me studentë dhe biznesmenë mbi të ardhmen e punësimit në Shqipëri./Tv Klan