Arsyeja e ndarjes së Angelina Jolie dhe Brad Pitt mund të jetë vënia në rrezik e jetës së fëmijëve të çiftit hollivudian, nga ana e aktorit 52 – vjeçar. Dyshimet rreth këtij lajmi janë shtuar pasi FBI -ja lajmëroi se po mbledh informacione rreth një incidenti të mundshëm të ndodhur javën e kaluar, që ka përfshirë Brad Pitt dhe fëmijët e tij në bordin e një avioni privat.

E pyetur nga BBC, Byroja Federale e Hetimi në SHBA njoftoi se po vlerësohet situata nëse është rasti për të nisur një hetim ndaj Pitt -it. Pikëpyetjet shtohen nisur edhe nga deklarata e zyrtare e Angelina Jolie, që tha se vendimi për divorc u mor “për shëndetin e familjes”.

Aktorja i ka kërkuar gjykatës kujdestarinë e fëmijëve, me të drejtën e vizitës nga tashmë ish – bashkëshorti i saj.

Pas lajmit për ndarjen, Pitt lëshoi një deklaratë për revistën People ku theksonte se ndihet i mërzitur, duke shtuar se në këtë pikë ajo që ka rëndësi është mirëqënia e fëmijëve.

Brad Pitt dhe Angelina Jolie patën një marrëdhënie 12 – vjeçare. Ata u martuan në vitin 2014, pas 10 vjetësh lidhje dhe kanë 6 fëmijë, 3 prej të cilëve të adoptuar.

Tv Klan