Fundjava rezultoi fatale për 4 pushues që u mbytën në Zvërnec. Njëri prej tyre në tentativë për të ndihmuar një vajzë mes dallgëve.

Askush tjetër nuk ishte aty për t’u ardhur në ndihmë. Në këtë plazh që shtrihet në disa kilometra, s’ka asnjë roje bregdetare.

Që prej fillimit të sezonit veror, 13 persona kanë humbur jetën në det.

Në disa raste kane qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi.

Kullat e Vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë.

Një vendim i Këshillit të Ministrave, i vitit 2016 përcakton qëndrimin e një vrojtuesi mbi një kullë 3 metra të lartë për çdo 250 metra plazh.

Por në vijen bregdetare shikohen vetëm disa kulla bosh.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, vrojtuesit punësohen nga bizneset që shfrytëzojnë plazhet, por është pushteti vendor që e kontrollon zbatueshmërinë e këtij rregulli.

Por kur jemi në kulmin e sezonit turistik, asnjë njësi vendore nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për të penalizuar bizneset apo për ta ndryshuar situatën.

Kullat e vrojtimit vazhdojnë të qëndrojnë bosh njësoj, ndërsa vendimi i qeverisë të injorohet hapur nga të zgjedhurit vendorë.

Vetë vrojtuesit duhet të jenë të trajnuar e licensuar. Të tillë janë vetëm 23, të certifikuar nga Federata e Vrojtuesve të Plazhit. Shumica e tyre janë të punësuar në pishina.

Vendimi i qeverisë për sigurinë në plazhe përcakton edhe rregulla të tjera, që gjithashtu nuk gjejnë zbatim.

Për rastet kur deti është me dallgë, bizneset që shfrytëzojnë plazhet duhet t’i njoftojnv pushuesit me anë të vendosjes së flamujve me ngjyrë, të shoqëruar me paralajmërime në shqip dhe anglisht nëse mund të notojnë.

Vendimi i detyron bizneset që të përcaktojnë edhe perimetrin e sigurisë.

Janë rregulla elementare për të shpëtuar jetë njerëzish. Por për fatalitetet që shkakton mosrespektimi i tyre nuk mban përgjegjësi askush.

Tv Klan