Deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka hedhur dritë mbi debatin e djeshëm të ndodhur brenda mbledhjes me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të PD-së.

Përmes këtij postimi, Bregu ka dënuar qëndrimin e mbajtur nga Kryetari Basha pas humbjes së zgjedhjeve në Dibër, i cili fajësoi qytetarët që nuk votuan PD-në, por shitën votën.

“Sa të rrish të mallkosh errësirën më mirë ndiz një qiri”

, e ka përmbyllur shkrimin e saj Bregu.

“Pas mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, e habitur nga reagimet e shumta në inbox të atyre që nuk ngurrojnë të flasin, po mendoj se kam vetëm një mundësi për të shpjeguar pse-në e debatit të djeshëm post Dibër në partinë time. 

Të hap një komunikim të hapur i cili nuk zëvendëson atë “Të Madhin”, por mbërrin më shpejt se këmbët e makina tek çdo demokrat apo qytetar që sot e ndjen veten të dërrmuar nga kjo qeveri dhe fatkeqësisht ende nuk sheh shpresë tek opozita. 

Sado në rënie të përditshme kjo qeveri të jetë, sado të blejë vota e të kërcënojë për vota, një fund kjo do të ketë. Por për të mos pritur fundin natyral të një pushteti që masakron duhet vullnet për të parë nga vetja.

Partia Demokratike ka fituar sa herë nuk i është fshehur vetes dhe mbështetësve të saj. Pavarësisht nëse përballë kishte komunistë a qeveri krimi. Unë e di fare mirë se sot besimi tek politika dhe politikanët është në agoni. 

Për faj tonin! Edhe për turp tonin që duam të bëjmë me faj ata që nuk na votojnë!

Ajo që ndodhi në Dibër është vetëm një grimcë e fatalitetit, pështirosjes, rrezikshmërisë që dizenjohet në realitetin politik, social e ekonomik sot në Shqipëri. 

Humbja e një palë zgjedhjeve me të vërtetë është problemi më i vogël sot.

Por mënyra se si i qasemi të vërtetës brenda nesh është ajo që më shqetëson. 

Në këtë hall të ringritjes, janë sot degët e Partisë Demokratike, gratë, burrat, militantët që nuk ka parcelë kanabisi t’i blejë, të votuarit, të pavotuarit, të shmangurit, të larguarit, rishtarët mbështetësit e PD-së. 

E di që dikush do të thotë ” u kujtove”, ” pse tani”, ” po ti ç’ke bërë” e plot pyetje e vramendje që më ngacmojnë vetë çdo ditë.

Me këtë komunikim këtu nuk pretendoj aspak se mund të zgjidh hallin që na ka zënë e as këtë gjendje rrëmuje që jetojmë çdo ditë, thjesht dua që me ata njerëz që më shkruajnë të komunikoj hapur.

Nënë Tereza thoshte sa të rrish të mallkosh errësirën më mirë ndiz një qiri!”/tvklan.al