Britania e Madhe propozon një bashkim të përkohshëm doganor me Bashkimin Europian. Bëhet fjalë për një propozim të përbashkët nga ministri i financave Filip Hamond dhe ai i tregtisë Lajam Foks, të cilin grupi britanik i negociatorëve pritet t’ia parashtrojë Brukselit për diskutim.

Propozimi është që pasi të përfundojë procesi i plotë i daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian në vitin 2019, Londra të vijojë të jetë pjesë e një hapësire të përbashkët pa taksa doganore, me vendet e unionit.

Shtetet që janë pjesë e një hapësire të përbashkët tregtare nuk aplikojnë tarifa doganore për produktet e importuara prej njëri-tjetrit. Po ashtu çdo vend brenda kësaj hapësire aplikon të njëjtën tarifë për produktet që importohen nga jashtë saj.

Propozimi u botua në deklaratat informuese për shtypin që lëshon periodikisht qeveria britanike dhe është e para herë që një propozim i rëndësishëm i këtyre negociatave bëhet publik.

Fundjavën e kaluar u njoftua shkëputja zyrtare e Britanisë së Madhe nga unioni doganor me Bashkimin Europian. Ndaj dhe Britania po kërkon një marrëveshje të re, pa të cilën produktet britanike do të ishin tepër të vështira për tu eksportuar Bashkimin Europian, pasi ndaj tyre do të kishte taksa të larta doganore.

/ABC News