Fushata për largimin nga Bashkimi Europian fitoi referendumin. Kjo do të thotë se Britania e Madhe është tashmë e përkushtuar për të dalë nga grupi i 28 vendeve anëtare, një proces i njohur si Brexit. Por çfarë do të thotë dalja e Britanisë për vetë vendin dhe për Bashkimin Europian?

britania1

Marrëveshja që Kryeministri Cameron negocioi me BE në Shkurt, që i jepte Britanisë një status të veçantë si anëtare e BE, tashmë bie poshtë.

Britania mori garancinë se nuk do të përballej me diskriminim duke qëndruar jashtë eurozonës. Në këmbim, ajo u zotua se nuk do të vijonte me bllokimin e integrimit të eurozonës.

Nëse vendi do t’ia dalë të negociojë një akses të vazhdueshësm të tregut të përbashkët europian, në terma preferencialë, ka shumë gjasa që garancia e mos diskriminimit të bjerë poshtë.

britania2

Cameron tashmë tha se do të zbrapset në Tetor dhe do t’ia kalojë rolin e negociuesit pasardhësit të tij, procedurë e cila bëhet me anë të Artikullit 50 të Bashkimit Europian.

Artikulli 50 i Traktatit të Lisbonës, që nuk është përdorur kurrë më parë, parashikon një afat 2 vjeçar për arritjen e një marrëveshjeje. I parë gjerësisht si një afat i shkurtër kohor, kjo periudhë mund të zgjatet vetëm nëse të gjithë 28 vendet anëtare bien dakord.

Procesi kërkon që Britania e Madhe të tërheqë rreth 80 mijë faqe ligjesh që e lidhin atë me BE. Disa do të mbahen, sepse disa fusha të rregullores së BE janë të lidhura me vende që nuk janë pjesë e Unionit, si Norvegjia dhe Zvicra.

Nën këtë “marrëveshje divorci”, siç e kanë konsideruar disa, Britania dhe BE – ja duhet të bien dakord për mënyrën sesi do të ndajnë asetet, të zgjidhin çështje që lidhen me buxhetin e BE dhe të vendosin mbi të drejtat e shtetasve të Bashkimit Europian për të ardhmen në Britani dhe e anasjellta.

Kjo marrëveshje kërkon aprovimin e pjesës më të madhe të anëtarëve të Unionit, të Parlamentit Europian dhe atij britanik.britania3

Gjatë periudhës dy vjeçare, bisedimet do të duhet të përcaktojnë marrëveshjet e reja sa i përket tregtisë mes BE dhe Britanisë.

Megjithatë, kjo mund të shtyhet edhe për më vonë, nëse BE pret derisa largimi i Britanisë të bëhet formal, duke e shtyrë afatin e negocimeve deri në 5 vite, ose edhe më shumë. Në pritje të kësaj marrëveshjeje, Britania do ta zhvillojë tregtinë me BE nën rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Kjo do të thotë se eksportuesit britanikë që do të paguajnë tarifat e reja importuese të BE, në të njëjtën mënyrë si Kina dhe SHBA tregtojnë me BE –në. Shërbimet e Britanisë, që përbëjnë 80 përqind të ekonomisë së vendit, do të humbin aksesin e tyre preferencial në tregun e BE.

Tregtia e lirë që BE ka negociuar me 53 vende, përfshirë Kanadanë, Singaporin dhe Korenë e Jugut, nuk do të aplikohet më me Britaninë. Nëse Britania do të dojë të përfitojë nga këto marrëveshje do të duhet të rinegociojë me këto vende.

Kampi i atyre që ishin pro qëndrimit në Union deklaruan se aksesi i plotë në tregun e BE, më i madhi në botë sa i përket tregut të lirë, me 500 milionë konsumatorë, ishte jetësor për Britaninë. Por lëvizja e lirë e punëtorëve, pagesat në buxhetin e BE dhe pranimi i rregullave të BE janë kushti për të patur akses.

Bashkimi Europian ka shumë pak gjasa që të heqë dorë nga këto kushte, pasi nuk dëshiron që anëtarë të tjerë të largohen nga Unioni. Britania mund të jetë pro këtyre kushteve, por nuk do të jetë më në gjendje të influencojë në rregullat e BE, ashtu sikurse nuk do të ketë më mundësinë e votës. Duke marrë shembull Norvegjinë, shumë prej atyre në favor të Brexit, e konsiderojnë këtë si të papranueshme.

Pika më e fortë e Britanisë është fakti se është një treg i madh për eksportet e BE, si ushqimet franceze dhe makinat gjermane.

britania4

Britania nuk do të paguajë më për buxhetin e BE, një moment që largohet. Kështu, kontributi neto që është 11 miliardë euro në vit, do të qëndrojë në shtëpi. Kjo shumë do të mund të shpenzohet në Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë, siç kanë sugjeruar disa nga kampi i Brexit, apo në shërbime të tjera.

Por fermerët britanikë nuk do të marrin më pagesa të drejtpërdrejta nga Bashkimi Europian, që kapnin vlerën e rreth 2.4 miliardë paund në 2015 – ën. Mbetet e paqartë sa nga kjo shumë do të paguajë qeveria britanike, ashtu sikurse edhe vazhdimësia e saj.

E paqartë mbetet gjithashtu sesa të varfëra do të bëhen rajonet e Britanisë, tashmë që nuk janë të kualifikuara për fondin rajonal të BE.

britania5

Britania e Madhe do të përpiqet që të ulë numrin e emigrantëve nga vendet e Bashkimit Europian, me shumë gjasa duke përdorur një sistem të ngjashëm me atë të Australisë. Kjo do të thotë se do t’i japë prioritet punonjësve të kualifikuar dhe do të bllokojë ata që nuk kanë kualifikim. Shumë punëkërkuesëve nga BE mund t’u kërkohet që të largohen.

Por fillimisht, Britania do të duhet të sqarojë statusin e rreth 2.2 milionë punëtorëve europianë që jetojnë në Britani. Rregullat për bashkimet familjare mund të bëhen më të rrepta. Megjithatë, çdolloj bllokimi sa i përket lëvizjes së lirë nuk do të ndodhë për të paktën 2 vjet, periudhë në të cilën Britania do të jetë duke negociuar daljen e saj nga BE.

Rreth 2 milionë britanikë jetojnë gjithashtu në vende të Unionit, ndaj çdolloj mase që do të merret ndaj punëtorëve europianë mund të shkaktojë reagim kundër shtetasve britanikë që jetojnë jashtë.

Ajo që Britania mund të bëjë që tani është që të ashpërsojë rregullat nga të cilat përfitojnë emigrantët./tvklan.al

Burimi: BBC