Britania është e gatshme t’i paguajë deri në 40 miliardë euro Bashkimit Europian për të zgjidhur divorcin me Unionin.

Këtë të paktën pretendon britanikja The Telegraph. Çështja e detyrimeve financiare të Britanise ndaj Bashkimit Europian është shoqëruar me debate në distancë mes krerëve të Brukselit dhe britanikëve.

Megjithatë, The Telegraph pretendon se burime të sigurta pranë qeverisë britanike, konfirmojnë se është arritur një marrëveshje, ku për herë të parë është propozuar një shifër e saktë.

Ky hap është e vetmja zgjidhje, thotë gazeta, për të zhbllokuar negociatat aktuale të divorcit.

Megjithatë, zyrtarë britanikë konfirmuan për The Telegraph, se Mbretëria e Bashkuar ka vendosur kushte në këmbim të 40 miliardë eurove.

Bëhet fjalë për rishkrimin e një marrëveshjeje tregtare, për të cilën ende nuk jepen detaje. Bashkimi Europian ka hedhur hipoteza për një shifër rreth 60 miliardë euro, që duhet të paguajë Mbretëria e Bashkuar për daljen nga Unioni.

Bisedimet për daljen e Britanisë nga Unioni Europian parashikohen të mbyllen në Prill të 2019.

Tv Klan