Shefi i shtabit të ushtrisë britanike paralajmëron se Rusia po krijon një forcë agresive ushtarake, që përbën rrezik për sigurinë e Europës Veriore.

Mediat britanike kanë siguruar një raport të hartuar nga gjenerali Nick Carter, ku vlerësohet se ushtria britanike aktualisht është shumë e dobët për t’i bërë ballë një ofensive ruse. Për këtë arsye, raporti i kërkon qeverisë britanike të rrisë shpenzimet për mbrojtjen.

“Rreziku me të cilin përballemi qëndron në dyert e Europës” – shkruan Carter në raport. Sipas tij, bota po ndryshon dhe si Rusia, po ashtu edhe Kina po i fuqizojnë aq shumë ushtritë në mënyrë të papërballueshme. Si shembull, zyrtari i lartë ushtarak britanik merr versionet e reja të tankeve ruse “Armata”, të zhvilluara vitet e fundit, të cilat sipas tij nuk mund të krahasohen me modelin “Challenger” të tankeve britanikë të modernizuar 20 vite më parë.

Për shkak të tensioneve me Moskën për çështjen e Ukrainës, disa deputetë britanikë kërkojnë rritjen në 3% të GDP-së të shpenzimeve ushtarake nga 2% që janë aktualisht. Vitin e kaluar, partnerët e NATO-s u alarmuan nga stërvitja e madhe ushtarake që Rusia zhvilloi në Kaliningrad e Bjellorusi, ku morën pjesë mbi 100 mijë ushtarë. Një stërvitje që inskenonte një sulm ndaj NATO-s në Europën Veriore.

/Tv Klan