Britania planifikon dënime më të ashpra për sulmet me acid në fytyrë

Britania e Madhe planifikon të aplikojë dënime më të ashpra për personat që sulmojnë me acid, ka thënë ministrja e Brendshme, Amber Rudd.

Në muajin e fundit janë shpeshtuar sulmet me acid në Londër.

Javën e kaluar pesë sulme me acid kanë ndodhur brenda 90 minutave në lindje të Londrës, duke lënë shumë persona me djegie në fytyrë.

Rudd ka shprehur shqetësimet e saj për raportimet se acidi dhe lëndë të tjera janë duke u përdorur si armë për sulme.

“Ne duhet të përgjigjemi ndaj këtyre sulmeve”, ka thënë ajo.

“Kjo do të përfshijë rishikimin e ligjit ekzistues, qasjen në këto lëndë të dëmshme si dhe mbështetjen që u ofrohet viktimave”, ka shtuar Rudd.

Ajo ka propozuar që ligji mund të rishikohet në atë mënyrë që acidi dhe substanca të tjera të ngjashme, të klasifikohen si armë të rrezikshme.

Qeveria do të punojë edhe me shitësit për të krijuar kufizime rreth shitjes së acidit dhe substancave të ngjashme. /REL


Kategori
BotaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*