Ndërmjetësuesit për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, eurodeputetët Ivo Vajgëll dhe Flekenshtejn porositën se zgjedhjet e reja nuk do të jenë të dobishme për vendin. Pas dështimit të Gruevskit, përfaqësuesit evropianë vlerësojnë se shansi për formimin e qeverisë duhet ti jepet partisë së dytë për nga numri i mandatave, ashtu siç është praktikë në të gjitha vendet demokratike.

Për deputetin slloven Vajgëll zgjedhjet e reja kërcënojnë thellimin e krizës dhe destabilizimin e vendit.

“Për Maqedoninë në këtë moment opsioni më kundër produktiv do të ishte të shkojë në zgjedhje të reja. Një gjë e tillë do të shkaktonte sërish ndarje që çuan më herët në përpilimin e Marrëveshjes së Përzhinës si dhe aktivizimin e institucioneve të ndryshme në nivel evropian për ta ndihmuar Maqedoninë drejt stabilizimit dhe vendosjes së dialogut të brendshëm politik. Zgjedhjet sjellin paqartësi, humbje forcash, humbje kohe. Unë mendoj se duhet të shfrytëzohen mundësitë normale që një shoqëri dhe shtet demokratik i ka. Nëse nuk ka pasur suksese njëri mandatar shansi duhet ti jepet mandatarit tjetër”, tha Ivo Vajgëll, eurodeputet.

Në vijë të njëjtë edhe eurodeputeti gjerman Knut Flekenshetjen. Sipas tij nëse vendi shkon në zgjedhje të reja do të humb shumë kohë për zbatimin e reformave urgjente dhe krijimin e një qeverie të qëndrueshme./INA