Banka e Shqipërisë ngre shqetësimin se bankat e nivelit të dytë e kanë përqendruar kredidhënien në të njëjtët sektorë dhe kjo mund të cënojë qëndrueshmërinë financiare dhe shton rrezikun e moskthimit të borxhit të marë.

Në një publikim të fundit thuhet se, pothuajse të gjitha bankat në bilancet e tyre kanë një nivel të lartë të kredive të pakthyera nga sektori i tregtisë, ndërtimit, industrisë përpunuese, transportit dhe kredive konsumatore.

Nisur nga ky fakt, kërkohet monitorim i kujdesshëm i investimeve me rrezik, të ndërmarra në sektorë të njëjtë.

Banka e Shqipërisë analizon se aktiviteti kreditues në Shqipëri ka pasur një ecuri të zbehtë gjatë viteve të fundit, kjo si pasojë e nivelit të lartë të kredive me probleme dhe vështirësive në ekzekutimin e kolateralit.

Rritja e dobët e kredisë është shoqëruar me përqendrimin e ofertës për kredi, vetëm në pak banka dhe në një numër të vogël biznesesh.

Në Janar, kreditë me probleme u rritën me 0.2%, krahasuar me Dhjetorin. Ndërsa huatë e humbura, për të cilat bankat nuk kanë më shpresë arkëtimi, në 57,8 miliardë lekë duke u rritur me 7 milardë lekë në Janar.

Tv Klan